4 Janar, 2020 - 8:30 pm
Me duart e vendosur në kokë, dhe sytë e përhumbur diku, nudoja në tablonë e Sadik Kacelit mbart gjithë misterin e së bukurës. E realizuar në vitin 1938, kur artisti ishte vetëm 26 vjeç, kjo është një nga nudot më të bukura në historinë e nudos shqiptare. Vajza që pozon është shqiptare. Gjatë kohës së studimeve në Francë, Kaceli ka realizuar një sërë nudosh me laps.
Silueta femrash që tashmë janë pjesë e koleksionit të çmuar të familjes. Sadik Kaceli lindi më 14 mars 1914 në Tiranë dhe ndërroi jetë në 24 dhjetor 2000 në Tiranë. Në vitet 1932 – 1936, nën drejtimin e pedagogëve Andrea Kushi, Mario Ridola dhe Abdurrahim Buza ndoqi “Shkollën e Vizatimit” në Tiranë.
Në vitin 1934 ai u zgjodh si një nga nxënësit e shkëlqyer të “Shkollës së Vizatimit” dhe së bashku me një grup nxënësish të Gjimnazit të Shtetit u shpërblyen me një udhëtim në Stokholm, ku u pritën nga Konsullata Shqiptare atje. Më 12 prill 1936 Sadik Kaceli, pasi i kishte shkruar një letër Henri Matisse, për ta ndihmuar që të fillonte akademinë në Paris, mori përgjigje pozitive për të ndjekur një akademi të rëndësishme të drejtuar nga Andre Lhote.
Sadik Kaceli është një nga piktorët e vetëm shqiptar që studioi në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Paris. Kaceli është autori i kartmonedhës shqiptare të stampuar në vitet e para të çlirimit, autori krijues i stemës së Republikës së Shqipërisë dhe i dizajnit të flamurit Kombëtar Shqiptar, në vitin 1946. Në Kinostudion “Shqipëria e re”, në vitin 1952, Kaceli realizoi një nga afresket në pjesën e sipërme të hollit hyrës.
Nga viti 1946 deri në vitin 1973, Kaceli ka qenë pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në lëndë të ndryshme (vizatim, pikturë, histori arti, perspektivë etj) për shumë breza nxënësish. Vepra “Lexuesja” e pikturuar në vitin 1947 është punimi i parë i koleksionuar në vitin 1955, në fondin e GKA Koleksioni me vepra të Sadik Kacelit, që ndodhet në GKA përmban 45 punime në teknikat vaj, pastel, akuarel, tempera, vizatim dhe grafikë. /KultPlus.com