20 Korrik, 2019 - 11:00 pm
Stacioni i autobusëve, muzeu arkeologjik, ish-burgu, gjimnazi Gjon Buzuku dhe Kalaja ishin këto vendet ku zënë pjesë ekspozitat e këtij edicioni te festivalit Autostrada Biennale, i cili po mbahet në Prizren, shkruan KultPlus.
Si pikë nisje për pjesëmarrësit e këtij edicioni ishte stacioni i autobusëve që të ekspozuara kishte vepra të artistëve shqiptarë e të huaj. Në këtë lokacion kryesisht ishin vepra që shprehnin revoltë, ose vepra që para publikut mund të vinin në jetë vetëm përmes krijuesit të tyre.
Në muzeun arkeologjik pjesëmarrësit, disa prej tyre për herë të parë, përpos veprave artistike të cilat kishin ardhur të i shihnin, ata u njoftuan edhe me materialet arkeologjike të zonës së Prizrenit e vendeve përreth.
Veprat e artit që zinin vend në muze ishin kryesisht piktura dhe fotografi.
Pas vizitës së muzeut, pjesëmarrësit vazhduan drejt gjimnazit “Gjon Buzuku”, brenda të cilit ekspozita ndodhej në një vend mjaft interesant, në tavanin e gjimnazit. Kësaj radhe, artistët përmes videos shpalosën artin e tyre para publikut.
Ish-burgu i qytetit ishte destinacioni i radhës. Vepra e artit që gjindej aty ishte si një top i rrumbullakët që funksiononte përmes elektricitetit. E në fund të vizitës së burgut, artistët u ndanë të kënaqur, pasiqë edhe një vend të frikshëm si burgu, arti arrin të fshehë aromën e frikës që normalisht do të mbizotëronte në një vend të tillë.
Destinacioni i fundit për ditën e parë të këtij edicioni, ishte kalaja e qytetit. Disa prej veprave u ekspozuan në televizorë, e disa në ekrane të mëdha. Veprat gjendeshin nëpër skutat e bukura të kalasë. Skuta këto, që kur bashkoheshin me bukurinë e kalasë, krijonin një atmosferë të këndshmë artistikë. / KultPlus.com