9 Gusht, 2018 - 2:30 pm
Kuratorja e nohur italiane Cristiana Colli ka folur për mediet italiane për instalacionin më të fundit të Sislej Xhafës.
Ajo është shprehur se “obbobobbobo dul peshku’ me të cilën artisti u prezantua në “Demanio Marittimo Km-278”, në Itali, është një “instalacion site specifik” që flet për Kosovën, e cila bëhet një fjalë që përshkruan të zezën në hapësirën e detit që është një rrugëtim, një kapërcim, një platformë, një autostradë likuide. “Artisti matet me komunitetin: atë që jeton në këtë bregdet me rast të eventit”. Bëhet fjalë për një maratonë në plazh dedikuar artit, arkitekturës dhe dizajnit, që zgjati për 12 orë dhe u kurua nga Colli. Ndërkohë që ajo rrëfen se artisti shqiptar është njohur me bregdetin e “Marzocca di Senigallia” një vit më parë gjatë edicionit të shtatë të “Demanio Marittimo Km-278”, duke bërë një farë leximi të peizazhit.
“Në një farë mënyre Sislej ka kapur sensin poetik të kësaj panorame”, është shprehur ajo për instalacionin e inauguruar në 21 korrik të vitit 2018. Sislej Xhafa me këtë instalacion të pazakontë ka kapur shpirtin e vendit duke e lidhur me shpirtin e kohës, në një dialog ideal midis komuniteteve që gjenden mes Adriatikut dhe Kosovës. Instalacioni është realizuar falë zhvillimit teknologjik të një software-i. “Një monument tingujsh në transit që pret dhe redukton, përfshin, mirëpret, lidh dhe shoqëron njerëzit, komunitetin, format dhe ekzigjencën. Treni që kalon paralelisht me linjën e detit vizaton peizazhe, mundësi, limite, përkatësi të përkohshme. Vizaton magjinë dhe nevojën, prek lehtë ujin e kripur, hyn në tokë, takon SS16, vëzhgon A14, ecën drejt Jugut, Mesdheut. Dhe shikon Lindjen”, shprehet kuratorja italiane.
Zhurma e një treni që kalon, pasohet me aktivizimin e një duartrokitjeje, e cila është regjistruar në një teatër të Prishtinës gjatë muajit qershor të këtij viti. “Janë shumë të rëndësishme, në fillim deti, treni dhe pastaj vendi, plazhi i zakonshëm, i thjeshtë, modest, pa eskluzivitet. Inkluzivitet…” shprehet vetë Sislej, ndërsa në sfond të instalacionit dëgjohet zhurma e detit dhe treni pritet të kaloj përsëri. “Në Luftën e Kosovës, trenat janë përdorur për dëbimin masiv të njerëzve, ndërsa gjatë komunizmit në Shqipëri njerëzit nuk janë lejuar të peshkojnë. Shteti nuk e lejonte një gjë të tillë”, shprehet artisti. Duartrokitjet dhe treni përsërisin ciklin e tyre. “Por trenat kanë qenë gjithashtu si një sinjal progresi, një dëshirë për liri si peshkimi. Kur njerëzit shikonin peshqit nuk mund t’i preknin dhe ndaj bërtisnin ‘obbobobbobo dul peshku”’, shpjegon Xhafa./ KultPlus.com