17 Qershor, 2018 - 12:03 pm
Të shtunën (16 qershor) është prezantuar logoja e re e Federatës së Futbollit të Kosovës, e cila nuk është pritur aspak mirë nga publiku.
Është piktori, Sali Musliu, i lindur në Gjilan, në vitin 1966, ai që e ka dizajnuar logon, e cila u përzgjodh nga FFK.
Ajo ka ngjallur reagime të mëdha në internet, ku komentuesit nuk e cilësuan si logon më të mirë.
Ai ka diplomuar në vitin 2001 në Akademinë e Artit në Dusseldorf, tek artisti me reputacion botëror, prof. Konrad Klapheck. Musliu është aktiv në skenën e artit dhe profesionalisht merret me pikturë në Frankfurt, ku vepron dhe jeton aktualisht – thuhet në një njoftim të FFK-së.
Gjatë vitit 2010 ka qenë profesor i artit në Kolegjin AAB në Prishtinë, derisa më herët ka menaxhuar me galerinë-ateleun e hapur në Prishtinë.
Piktori ka fituar shumë çmime si vendore, ashtu edhe ndërkombëtare, derisa në vitin 1999 nga Akademia e Arteve në Dusseldorf e pranoi titullin ‘Mjeshtër i Artit’.
Veprat e piktorit Sali Musliu gjenden të ekspozuara në institucione të ndryshme, muze të artit dhe shumë koleksione private në të gjithë botën./ KultPlus.com