10 Qershor, 2019 - 4:07 pm
Lauren Peace – iniciatorja e këtij projekti projektin e saj e ka vazhduar edhe me informacione të tjera të cilat ajo ka thënë se do ti zbulojë në ditët në vazhdim.
Me anë të portalit, ajo ka treguar se kush janë këto figura – secila grua me një thënie të përshtatshme për karrierën e saj, duke treguar kësisoj preokupimin dhe vështirësitë.
Shumë njerëz nuk e kanë pasur të qartë edhe se kush janë këto gra, por ato tanimë dihen, edhe për ata që nuk mund ta vizitojnë NewBornin këtyre ditëve të nxehta në Prishtinë.
Peace është shpjeguar në një prej mediave vendore për këtë vendim dhe për përzgjedhjen e grave, për çka edhe u kritikua shumë.
“Projekti nuk është menduar të jetë në stilin Top 100. Nuk do të kërkoj falje për asgjë, sepse çfarëdo paraqitje e 99 grave shqiptare nuk do të përfshinte asnjëherë të gjitha gratë shqiptare, pa marrë parasysh efektin e punës së tyre” është shpjeguar mes tjerash Peace për Kosovo 2.0, aty ku është botuar eseja e saj sot e plotë dhe ku Peace e arsyeton projektin e saj dhe tregon çdo detaj.
“Këto janë gra në një grup më divers, kanë bërë ndryshimin, disa më shumë disa më pak, ato janë vetëm pjesë e një grupi më të madh” ka treguar tutje ajo, shkruan KultPlus.
“Reclamation” vazhdon të jetë e shpalosur në NewBorn në Prishtinë. / KultPlus.com
KY ËSHTË KONCEPTI KURATORIAL I PROJEKTIT:
Ndarja dhe pranimi i rrëfimeve të përvojave personale na mundëson ta procesojmë dhimbjen, të kemi dhembshuri ndaj të tjerëve, dhe ta kuptojmë më mirë shoqërinë ku jetojmë.
Por, kur vetëm një narrativë e kufizuar i afishohet një populli ose vendi, tregimi i rrëfimeve bëhet mjet i rrezikshëm që mund t’i përforcojë stereotipet, të krijojë ide të gabuara, dhe t’i dobësojë sistematikisht grupet e caktuara të njerëzve.
Përgjatë historisë, rrëfimet dhe përvojat e grave vazhdimisht janë shtypur si rezultat i turpërimit, stigmës, dhe frikës së kultivuar nga strukturat patriarkaje, nën së cilat pabarazitë gjinore vazhdojnë.
20 vjet pas përfundimit të luftës, gratë në Kosovo po i rimarrin narrativat e tyre si lidere, novatore, edukatore, sportiste, artiste, akiviste, përmbysëse, rrëfyese.
‘Rimarrje’ është seri interaktive portretesh që thekson zërat e 99 grave të brezave e etnive të ndryshme, që punojnë në lloj-lloj sektorësh për drejtësinë, barazinë, dhe të vërtetën.