15 Nëntor, 2018 - 10:30 am
Konkursi mbarëkombëtar i Novelave Grafike, vjen në edicionin IV nën shenjën e “Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti-, Skënderbeut”, për të shpallur fituesit e vitit 2018 sot në skenën e ”arTurbinës”.
Nën kujdesin e ministrisë së Kulturës përveç ceremonisë së çmimeve do zhvillohet dhe hapja e ekspozitës shumë të veçantë “Legjendat Shqiptare në Novelat Grafike” edicioni IV 2018.
E veçanta e edicionit të këtij viti qëndron se, për herë të parë ky konkurs kombëtar zhvillohet në bashkëpunim me Institutin e famshëm “Qyteti Ndërkombëtar i Tregimeve Vizatimore dhe Imazhit” në Angulem, Francë, i cili ofron dhe një bursë për fituesin e çmimit të parë. Ky edicion organizohet në bashkëpunim me Ambasadën Franceze në Shqipëri.
Pa dallim moshe e profesioni janë përfshirë në të 42 artistë,nxënës e studentë, në shprehjen artistike inovative të temave e subjekteve, frymëzuar nga trashëgimia, historia e identiteti ynë kulturor.
Drejtori i la Cite internationale de la bande dessinee et de l’image, Pierre Lungheretti, do të kryesojë jurinë ndërkombëtare të Konkursit.
Publiku do të shohë ekspozitën dhe punimet e veçanta sot në orë 17:00 tek ”arTurbina”./ KultPlus.com