20 Prill, 2024 - 10:28 am
Një karrige bosh, e lënë qëllimisht, bëhet skenë e një rituali tjetër: ndezja e një qiriri në pritje të kthimit të dikujt, një referencë historike për traditën shqiptare të Lëndinës së Lotëve. Koregrafi Gentian Doda një emër i njohur i artit ndërkombëtar tregon përmes një videointalacioni në Bienalen e Venecias historinë e familjes së tij.
Gjithçka vjen përmes konceptit të artistit meksikan Erick Meyenberg i cili e fiksoi këtë moment takimi tradicional shqiptar në celuloid duke i shtuar një koreografi emocionale të Gentjan Dodës dhe kostumografinë e Ardi Asllanit frymëzuar prej të famshmes “Lëndina e Lotëve” ku drama e emigracionit i rri për shtat temës së Bienales së këtij viti “Të huaj Kudo”. Kjo histori tradite dhe emocionesh të forta që vjen përmes konceptit të “Rikthimit të përjetshëm” çoi në vendosjen e titullit të pavionit meksikan “Iknim dhe ktheheshim gjithmonë!”
PAVIONi
Pa kthyer kokën pas. Kështu udhëton një emigrant kur ikën nga shtëpia për të shmangur lidhjen me të kaluarën, si në rastin e pasazhit biblik, ku gruaja e Lotit kthehet në kripë pasi kthen kokën pas. Personi që emigron është një i huaj i përhershëm, i cili dëshiron të kthehet në diçka që nuk ekziston më, ndërsa nuk gjen kurrë plotësisht një vend që t’i përkasë plotësisht.
Me këto fjali nis shpjegimi i pavijonit meksikan në Bienalen e Venecias “Iknim e ktheheshim gjithmonë”.
Në qendër të tij është një histori shqiptare emigrimi.
Në vitin 2019, Erick Meyenberg, një artist meksikan me origjinë gjermane dhe libaneze, mblodhi një familje shqiptare në një tryezë në një fshat verior të Italisë për të festuar një ritual ritakimi mes festës dhe zisë. Familja Doda kishte emigruar mbi tridhjetë vjet më parë nga Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, në Itali, ku u integruan pa humbur lidhjet dhe traditat e tyre kulturore. Ata u përfshinë në kulturën e vendit pritës duke ruajtur lidhjet me vendin e tyre të origjinës. Artisti meksikan përkthen detajet e zhvillimit dhe traditave të kësaj familjeje në një instalacion video, duke përdorur një qasje estetike dhe konceptuale që komunikon atë që është unike dhe na lidh në veçantitë tona si qenie njerëzore: mënyrat e nderimit, dashurisë dhe mungesës, gjestet dhe emocionet që janë parësore për të gjithë ne.
Gjithçka paraqitet në 4 ekrane të mëdhenj ku në mesin e tyre është vendosur e njëjta tavolinë me çdo objekt identik por të derdhur në qeramikë për të treguar shtresat e kohës! Në një karrige është improvizuar kandili i ëLëndinës së lotëve” ku per muaj te tere eshte lënë një qiri i ndezur (në Meksikë) dhe ai ka krijuar një loje relievi kohor, rreth e qark pavionit performojnë balerinët Rosela Pellicciotti, Fjorald Doci dhe Julien Klopfenstein, kryejnë lëvizje artistike të ngarkuar me gurë rreth duarve si për të treguar peshën e kohës. Balerini që interpreton vetë personazhin e “Dodës” zhvishet nga çdo emocion artistikisht dhe realisht për t’u rikthyer në origjinë nga udhëheqja e gurëve të kohës dhe peshës së mallit!
Videoinstalacioni dhe koreografia “Mbi relievet e një kohe” prej dy ditësh ka mbushur pavionin meksikan me artistë e vizitorë nga e gjithe bota duke marrë edhe vëmendjen e New York Times që i ka kushtuar një artikull idilit artistik emocional./balkanweb/KultPlus.com