6 Tetor, 2018 - 8:00 pm
Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë ju fton të merrni pjesë në një seminar ekskluziv 2 ditor me kompozitorin dhe muzikantin Liburn Jupolli më 11 dhe 12 tetor nga ora 17.00-19.00.
A keni menduar ndonjëherë për përgjigjet e pyetjeve më poshtë:
Si mësoni?
A mund të mësoni muzikën, matematikën, biologjinë, arkitekturën në të njëjtën kohë?
Si duket muzika në trurin tuaj?
Mund të dëgjoni ngjyrat, ose të shihni muzikë?
Ejani dhe gjeni në një seminar të veçantë të përshtatur posaçërisht për të kuptuar se a jeni ju një nga këta njerëzit e veçantë. Nëse ju nuk jeni në mesin e tyre mësoni se si mund ta përdorni këtë njohuri në të mirën tuaj?
Në këtë punëtori ju do të njoftoheni me rastet e rralla të “synesthesia” dhe me gjetjet e fundit se si mund të mësoni më mirë duke përdorur disa shqisa. Ju po ashtu do të bëheni pjesë e një testi i cili do të vlerësoj perceptimin tuaj ndaj muzikës, tingujve dhe anës vizuale për të zbuluar nëse ju jeni në mesin e 6% të popullsisë të cilët i kanë të lidhura shqisat e tyre. Cilët janë njerëzit prapa këtij zbulimi dhe cilat janë gjetjet e fundit rreth kësaj çështje?
Liburn Jupolli është kompozitor, pianist dhe novator në fushën e muzikës klasike dhe zhanreve alternative. Ai ka një interes të veçantë në inovacionin e instrumenteve muzikore dhe në përmirësimin e komunikimit dhe edukimit muzikor, si një mjet i komunikimit tërësor dhe si një mjet që mund të shërbejë për të mësuar lëndë të tjera, të tilla si matematika. Aktualisht, ai është duke studiuar në Francë, ku ka diplomuar në EdTech, me fokus në zhvillimin e instrumenteve muzikore nëpërmjet të mësuarit teknologjik dhe multisensor në CRI – Centre de Recherche Interdisciplinaire – Paris Descartes, ku është kandidat PhD.
Leksionet do të mbahen në gjuhën shqipe dhe të interesuarit për pjesëmarrje mund të regjistrohen në [email protected] ose duke telefonuar në 038 259 999./ KultPlus.com