14 Korrik, 2023 - 7:52 pm
Nga Sophie Haydock
Vienë, 1907. Një artist i ri, me duart e djersitura nga frika i afrohet një artisti më të madh në moshë të veshur me kostum bojëqielli në kopshtin e shtëpisë së tij atelie. Vetëm 17 vjeç, ai i zgjati vizatimet mbi fletët japoneze të zbehta ngjyrë kafe, që shfaqnin torse të gjymtuara, shprehi të shtrembëruara dhe bukuri përhumbëse, njërit prej artistëve kryesorë të Europës. Mori frymë thellë, dhe i bëri pyetjen që e kishte pllakosur, formuar, që kur ishte fëmijë.
“A kam talent?” Çdo gjë, për Egon Schiele-n, varet nga ky moment.
“Talent?”, erdhi përgjigja nga burri që ai adhuronte – Gustav Klimt, atëherë 45 vjeç, themeluesi dhe udhëheqësi i Shkëputjes Vieneze – dhe për Schiele-n, një meteor talenti. “Më shumë se ç’duhet”.
I trullosur nga çlirimi, Schiele i propozon një shkëmbim të vizatimeve, duke i ofruar disa fletë të tij për një nga Klimt-i. Përgjigja e Klimt-it? “Pse do që t’i shkëmbesh me mua? Ti vizaton më mirë se unë.”
Dhe me këtë, Egon Schiele mori vulën e praruar të aprovimit nga Gustav Klimt. Ishte një përplasje krijuese shpirtrash të afërm dhe mendjesh rebele që do të ishte tragjikisht e shkurtër – të dy burrat do të ishin të vdekur për më pak se një dekadë më vonë. Por ndikimi i tyre artistik jehon edhe sot.
Gustav Klimt u lindur i varfër në Baumgarten, afër Vienës, në 1862, i dyti nga shtatë fëmijë – dhe u bë një prej artistëve më të dashur në planet.
Egon Schiele u lind në 1890 dhe u rrit në një qytet të vogël të Tulln, me jo aq larg nga Viena. Babai i tij, një shef stacioni, ishte një burrë i dashur por i rreptë. Në fillim, ishte i impresionuar nga fiksimi i djalit të tij të vogël për të vizatuar trenat që shihte nga dritarja e shtëpisë pranë stacionit. Por entuziazmi i tij u kthye në dëshpërim kur Schiele ngeli në shkollë dhe refuzoi karrierën për të ndjekur hapat e babait të tij.
Babai i Schiele e dogji nga inati bllokun e skicave të fëmijërisë së Egon-it. Por artisti nuk u frenua. Ai u bë studenti më i ri që pranohej në Akademinë e Arteve të Bukura të Vienës në 1906, njomzak, një gjashtëmbëdhjetëvjeçar. Jo për shumë kohë, Egon-i u nda nga mësuesit e tij konservatorë, dhe u largua në 1909 për të themeluar Neukunstgruppe me studentët e tjerë.
Gjatë kësaj kohe Schiele u njoh me Klimt – dhe burri i ri filloi të imitonte mjeshtrin e tij. Por provat e para të Schiele-s ishin për të ardhur keq.
Merr pikturën Danaë, të Klimt, krijuar në 1907. Shih “shiun e artë” që bie mes kofshëve të brishta të gruas, më shprehi të lumtur. Dhe më pas shih përpjekjet adoleshente të Schiele në 1909 – modelja është e strukur në pozicion fetal, gjunjët nën mjekër, shiu jetësjellës që lan kurrizin e saj. Schiele e kishte humbur thelbin.
Por sidoqoftë, respekti mes dy burrave ishte i ndërsjellë. Schiele pikturoi një autoportret me Klimt-in, The Hermits, në 1912, si homazh të miqësisë së tyre, dhe ishte krenar kur vepra e tij u ekspozua përballë Klimtit në Berlin, gjatë luftës së parë botërore.
Më pas, në pranverën e 1911, kur artisti 21-vjeçar, pa para, po kërkonte për modele të lira që të pozonin për veprat e tij të artit provokativ dhe kontroversial, Klimt-i, me bujari e prezantoi burrin e ri me një modele që ai e përdorte vazhdimisht: Wally Neuzil.
Ajo ishte dhurata e madhe që Klimt i bëri Schiele-s.
Wally ishte 17 vjeç atëherë, e lindur në Tattendorf, dhe ishte shpërngulur në Vienë për të fituar jetesën si modele, gjë që, në atë kohë, ishte e ngjashme me prostitucionin. Ishte një shkëndijë flakëruese e një gruaje me sy plot shpirt, një gojë të madhe sensuale dhe flokë të kuqerremtë. Schiele e pikturoi atë përgjatë historisë së tyre të dashurisë 4 vjeçare, dhe ajo u bë pjesë në çdo gjë që ai krijonte.
“Wally, në fillim, ishte thjesht një prej modeleve të Schiele-s”, thotë Jane Kallir, autore e katalogut të Egon Schiele dhe bashkëdrejtore e Galerisë St. Etienne në New York. “Ajo nuk veçohet lehtësisht, apo të zhvillohet në një prani të dukshme në veprën e tij deri në 1912”.
Më pas, tiparet e saj dalluese janë të qarta në vepra si Sleeping Woman (Wally Neuzil), 1912; Wally Neuzil Kneeling with Grey Cloack, 1912; dhe sensuale në Woman in Underclothes and Stockings (Wally Neuzil), 1913. Kallir shton: “Ajo që është vërtet e pazakontë është që Schiele i jep [Wally-t] një lëkurë barazie. Jo thjesht si partnerja e tij e jetës, por si partnerja e tij artistike.”
Wally-t i atribuohet transformimi i pjekurisë emocionale të artistit të ri dhe depërtimi që ai u dha modelëve të tij. Kjo dëshmohet te Portrait of Wally Neuzil, 1912, krijuar si homologu i Self-portrait with Physalis. “Në alegoritë e tij, Schiele është gjithmonë ylli,” thotë Kallir. “Ai është ‘profeti’, ai me shikimin e dytë. Por në alegoritë nga 1912-14, Wally është krah tij, gjithashtu një ‘profete’ – kjo shkallë njohjeje është vërtet e jashtëzakonshme për atë kohë.”
Me Wally-n, Schiele gjeti zërin e tij. Ai mundi gjithashtu të arrinte mjeshtrin e tij, dhe disa mund të thonë, e tejkaloi atë. Në 1912, ai krijoi veprën kontroverse Cardinal and Nun (Caress), bazuar te The Kiss qëndrueshmërisht e famshme e Klimt-it. Por Schiele ka një dell të egër eroticizmi dhe rebelimi që Klimt-i nuk e zotëron.
Por me gjithë forcën dhe bujarinë e Wally-t – ajo qëndroi pranë artistit të turpëruar, pasi Schiele u burgos për 24 ditë i akuzuar për rrëmbim, përdhunim statutor dhe imoralitet publik (dy akuzat e para u rrëzuan shpejt) – ai nuk do të martohej kurrë me të.
Piktura zemërthyese Death and the Maiden u bë në 1915, si përgjigje e ndarjes së tyre të afërt, para se Schiele të martohej me më të respektueshmen Edith Harms.
Kur Klimt-i vdiq papritur, në moshën 55-vjeçare, në shkurt të 1918 për shkak të epidemisë së gripit spanjoll që përfshiu kontinentin, Schiele ishte i shkatërruar. Ai e vizatoi Klimt-in në shtratin e tij të vdekjes. Ai shkroi për mentorin e tij: “Një artist pabesueshmërisht i arrirë – një burrë me thellësi të rrallë – vepra e tij është një vend i shenjtë”.
Pas vdekjes së Klimt-it, Schiele mori mantelin si figura udhëheqëse e skenës së artit vienez. Por ai nuk do ta dinte që gjithashtu, do të vdiste në fund të vitit.
Schiele vdiq, në moshën 28-vjeçare, në 31 tetor 1918 – tre ditë pas gruas së tij, Edith Harms, e cila ishte gjashtë muaj shtatzënë me fëmijën e tyre të parë. Dy artistët më të mëdhenj të Austrisë të shuar.
Sot, pak më shumë se 100 vjet nga vdekja e tyre e parakohshme, jehona e tyre mund të ndihet ende. Veprat e Schiele-s mbesin sizmike, transcendentale, tronditëse dhe plot zjarr. Klimt-i do të mbetet përgjithmonë mjeshtri i tij.
Përktheu Enxhi Hudhri. / KultPlus.com