3 Shkurt, 2019 - 9:50 pm
Liridon Shala nga Prizreni në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar kishte pranuar nga gjyshi i tij një kamerë fotografie të prodhuar në vitin 1987 në BRSS. Në atë kohë kjo dhuratë kishte mjaftuar për ta zgjuar kërshërinë fëmijërore të tij mbi mënyrën e funksionimit të kamerës dhe si ajo e krijon fotografinë.
Ky interesim për fotografinë kishte vazhduar edhe në moshën e adoleshencës së tij falë telefonave celularë dhe kamerave të instaluara në to. Por në dekadën e fundit, Liridoni këtë interesim ka arritur që ta shndërrojë në pasion, duke u përqendruar kryesisht në fotografimin e botës së egër dhe peizazheve natyrore në trojet shqiptare, shkruan sot “Koha Ditore”.
Gjatë viteve të fundit ai ka fotografuar kryesisht shpend, por edhe kafshë të botës së egër në trojet shqiptare, përmes së cilës punë mundohet që ta përçojë porosinë për nevojën e ruajtjes së natyrës nga dora shkatërrimtare e njeriut.
“Aparati rus i prodhuar në vitin 1987, të cilin e kam pranuar si dhuratë nga gjyshi im, më ka ngjallur interesimin për faktin se si krijohet fotografia. Por nevojën për me u marrë me fotografi e kam zbuluar në shkollën e mesme, kur telefonat celularë kishin kamera. Aty e kam vërejtur pasionin tim për fotografi”, nis rrëfimin Shala.
Ndjekja e studimeve në degën e farmacisë, sipas tij, nuk i kanë lënë shumë kohë për fotografinë. Pas kryerjes së studimeve në vitin 2007 dhe fillimit të punës si farmacist ka vendosur që në kohën e lirë ta ndjekë pasionin e tij. Por blerja e kamerave profesionale në vitet e fundit ia ka mundësuar që të realizojë fotografi më cilësore të botës së egër dhe natyrës.