1 Korrik, 2021 - 12:00 pm
Era Berisha
Lulet boshtra, farat e palmës, luleqershia, luleftoi dhe karafili, janë këto lulet gjigande të krijuara nga pëlhura për instalacionin e titulluar ‘’Lule Mosmëharro’’ të artistit bashkëkohor Petrit Halilaj, i cili së bashku me Alvaro Urbano, përmes edicionit të tretë të Autostradës Biennale, kanë sjell këtë instalacion në Bibliotekën Kombëtare ‘Pjetër Bogdani’ e që në vete ngërthen një thirrje unike, një thirrje për diversitet, ndryshim dhe guxim për të shpresuar e ëndërruar, shkruan KultPlus.
Biblioteka Kombëtare dje ishte shndërruar në një fole madhështore ku kupolat e saj tashmë nuk të kapnin syrin, për arsye se pikërisht nën kupolën kryesore, të vendosura ishin lulet shumëngjyrëshe e llojllojshme të cilat kishin zënë vendin e tyre në ajër. Instalacioni u plasarit para publikut si një kopsht përrallor, një strofull ku dashuria zë vend dhe nuk lë hapësirë për asnjë lloj ndjesie tjetër. Ndërsa, ishte pikërisht kjo dashuri për artin e njeriun që dje mblodhi afër vetes, artistë të shumtë e artdashës të këtyre krijimeve unike.
Fillimisht, pasi që të pranishmit ishin mbledhur jashtë Bibliotekës dhe ishin furnizuar me nga një libër që përmbante informacione rreth edicionit të tretë të Autostradës Biennale, padurimi i tyre për të hyrë brenda vërehej jo vetëm në fytyrë por edhe në lëvizjet e luhatjet e vogla që trupi i tyre krijonte. Pas 10 minuta pritje, dyert e Bibliotekës u hapën e së bashku me vështrimin e syve të të pranishmëve që direkt u cungua drejt hapësirës ku lulet ishin prezente, u zgjerua edhe hapësira brenda nesh, aty ku lumturia, gëzimi, habia, kureshtja dhe trazirat e ëmbla krijojnë një rrokullisje skalitëse brenda stomakut të njeriut.
Ajo se çka çuditi dhe shtangu të gjithë, ishin dy persona të veshur me kostume kafshësh duke shoqëruar të pranishmit e sidomos fëmijët deri sa ata ngjiteshin në shkalla. Kjo e papritur ishte një befasi që futi të gjithë në një humor tejet të duhur e specifik dhe njëkohësisht gjallëroi atmosferën deri në një masë të paparashikuar.
Kokat e gjithsecilit ishin gdhendur në një pozitë përpjetë dhe njëlloj si ky instalacion, nuk po mund të dilnin nga hipnotizimin që lulet krijonin. Ulërima e tyre erdhi në formën e heshtjes dhe në gërshetimin e ngjyrave nga më të ndryshmet, një gërshetim ky që portretizonte edhe mesazhin e instalacionit. Ndërsa, entuziazmi i të pranishmëve nuk po mbaronte dot, ata lëviznin herë në një qosh e herë në këndin tjetër për të vëzhguar e admiruar këto lule të veçanta që publikun kosovar e lanë pa mend e pa frymë.
Ndërkohë, për të shënuar nisjen e kësaj ngjarje, sopranoja Urta Haziraj, e vendosur në një nivel paralel me lulet gjigande në një kat më lart dhe pianisti Melos Buza, që ishte vendosur poshtë e i cili me një shikim të vetëm me sopranon, filluan të pushtojnë ambientin me një harmoni të dalluar. Tingujt e instrumentit bardh e zi dhe timbri dramatik i zërit të sopranos, kapluan atmosferën në një harmoni ku fuqia e pasur artistike dhe melodike ndërlidhej në një rënkim sensual e pasionant të një agonie të dëshiruar.
Pastaj, pas duartrokitjeve dhe brohoritjeve të sinqerta të publikut, radhën për të interpretuar këngën ‘Shingjergjat po sillen’, në një version admirues, doli artisti Plator Gashi, i cili ishte vendosur në një pllakë rrethore që jepte ndjesinë se çdo hapësirë mund të kthehet në një vend performimi. Zëri i tij verbues e i papërsëritshëm përqafoi meloditë e tingujt me një talent karakteristik që vetëm ai mund të posedoj, kurse interpretimi në kitarë tashmë për të është shndërruar në një epilog jetësor e ekzistencial e që publikun e trazoi duke i futur ata brenda një ngatërrese emocionale e tejet ndikuese.
Kështu, pas këtyre aktivitete kulturore e të domosdoshme në një kohë të tillë ku nevoja e dëshira për to nuk ka qenë asnjëherë më e madhe, nisën edhe fjalimet pasuese. Në fillim, fjalën e morri Vatra Abrashi, bashëkthemeluesja e Autotradës Biennale, e cila hapi këtë ngjarje me një fjalim.
“Jemi shumë të lumtur që së bashku po fillojmë rrugëtimin tonë të edicionit të tretë të Autostrada Biennale, këtu me ju nën veprën e mrekullueshme të Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano. Si bashkëthemeleues të Autostrada Biennale, së bashku me Leutrimin dhe Barisin, kemi fillua rrugëtimin tonë në Prizren në vitin 2014 dhe edicionin e parë e kemi mbajtur në vitin 2017 bazuar në nevojën për më shumë shkëmbime kulturore”, thotë Abrashi.
Sipas saj, gjithmonë është menduar që Autostrada Biennale të jetë si një pikë ndërlidhëse dhe një rrugë në hartën e Ballkanit perëndimor. Mirëpo, pandemia ka bërë që Austrada ta rimendojë modelin e Biennales duke shtrirë aktivitetet e tyre edhe në Prishtinë e Pejë.
“Jemi të gëzuar që edicionin e tretë ‘What if…’, e kanë kuruar dy kuratore të dashura për ne e që i falenderojmë përzemërsisht për një edicion magjik me artistë dhe vepra të mrekullueshme”, ka thënë Abrashi.
Pastaj, fjalën e morri edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha.
“Me qenë në këtë hapësirë është e jashtëzakonshme. Biblioteka sot po duket si asnjëherë më parë. Lulet magjepse të Petritit dhe Alvaros, u sollën në Prishtinë për të na rikujtuar disi se si nuk ka kufi për kujtimet e përbashkëta. Ky instalacion sikur është një ftesë për të na rikthyer në memoriet tona por edhe shpresat për ndryshim e guxim e moskonformizëm me preokupime të përbashkëta që kemi si komunitet”, thotë Berisha.
Sipas tij, ai ndjehet shumë i lumtur që në emër të Komunës së Prishtinës, ata kanë arritur të përkrahin ardhjen e luleve të Petritit në Prishtinë në bashkëpunim me ekipin e Autostradës Biennale.
“Ne do të mundohemi për të gjetur një vend apo hapësirë publike që lulet e Petritit, të kanë një vend të përhershëm në Prishtinë”, përfundon Berisha.
Ndërsa, Tatiana Tarago nga Manifesta, në emër të të gjithë ekipit të Manifestës, përshëndeti të pranishmit duke i falënderuar për prezencën e tyre.
“Unë vetëm doja të shprehja se sa të nderuar jemi që të bashkëpunojmë dhe mbështesim Autostradën Biennale e njëkohësisht për të vërtetuar se sa e rëndësishme është puna që ata po bëjnë. I uroj artistët për këtë punë të jashtëzakonshme dhe shpresoj që të vazhdojmë të bashkëpunojmë tutje”, ka thënë Tarago.
Fjalimi i Leutrim Fishekqiut nga Autostrada Biennale, ishte ai i radhës ku ai është shprehur se për të është një kënaqësi e jashtëzakonshme që po punon me një ekip të jashtëzakonshëm.
“Pas një kohe të gjatë të pandemisë, kishim me të vërtetë nevojë për të parë këto fytyra të bukura që jeni ju këtu ndër këto lule kaq të bukura”, ka thënë Fishekqiu.
Pastaj, radhën e kishin kuratoret e edicionit të tretë të Autostradës Biennale, ‘What if a journey…’, si: Ovul O.Durmusoglu dhe Joanna Warsza.
“Është një thashethem që kjo ndërtesë ka 99 kupola dhe kjo është në të mirë të objektit i cili gjithmonë mund të zhvillohet tutje e të rritet. Kjo ide është ajo që ne po e zhvillojmë edhe në këtë edicion, pra idenë e e paplotësisë”, ka thënë Warsza.
Në ndërkohë këto kuratore lexuan edhe një pjesë të tekstit nga libri informues që përmban fakte rreth edicionit të Autostradës Biennale dhe konceptit të tij.
Kështu krejt në fund, pritjes së çdo kujt i dha fund prezenca e artistëve Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano, të cilët po ashtu dolën përpara për të folur.
“Lulet vinë si një gjest i vogël i një relacioni, gjeste dashamirëse, lule të cilat i dhurojmë njëri-tjetrit dhe familjeve. Ne dëshiruam që këto gjeste t’i shndërrojmë në madhësi shumë më të mëdha”, ka thënë Urbano.
Ndërsa, artisti bashkëkohor, Petrit Halilaj, është shprehur se po ndjehet tejet i lumtur që ai ndan këto momente me të pranishmit.
“Faleminderit që keni ardhur sepse është gëzim i veçantë për të ndarë këtë moment me juve, për të pasur Alvaron afër, kuratoret, Autostradën Biennale, Komunën e Prishtinës, të gjithë qytetarët e familjen time”, ka thënë Halilaj.
Sipas tij, ai është rritur çdo herë me fjalët: liri, barazi e demokraci, dhe çdo gjeneratë ka pasur sfidat e kërkesat e tyre për barazi.
“Këto lule janë goxha të mëdha, por janë lule që i kemi dhuruar njëri-tjetrit me Alvaron. Ne jemi bashkë që 10 vjet dhe pa ato lulet e vogla që ia kemi dhuruar njëri-tjetrit, s’do të kishin pasur kuptim këto lule të mëdha. Por këto lule kanë kuptim sepse ia kemi dhuruar shoqërisë tonë”, përfundon Halilaj.
Kështu krejt në fund, njëra nga kuratoret e edicionit të tretë të Autostradës Biennale, Ovul O.Durmusoglu, shënoi fundin e kësaj ngjarje me një këngë turke që fliste për dashuri, behar e zogj.
Autostrada Biennale në edicionin e saj të tretë, së bashku me edicionin e pestë të Javës së Krenarisë në Kosovë, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ‘’Pjetër Bogdani’’, kanë prezantuar dje këtë instalacion artistik. / KultPlus.com