13 Qershor, 2018 - 11:30 am
Gili Hoxhaj
Përplot dy muaj punë intensive janë shkrirë në një pikturë monumentale, mbi të cilën janë ngulitur fort gjurmë të rëndësishme të historisë së vendit. Kjo pikturë monumentale që kishte mbledhur gjurmë të artistëve, studentëve, studiuesve e personaliteteve të njohura që e kishin vizituar, me një interaktivitet ngjyrash e simbolesh përfaqësonte rrugëtimin e Kosovës, përmes rrugëve e hartës së kryeqytetit. Pikturë ndriçuese mblodhi pranë vetes plot mysafirë.
Kjo pikturë ndërvepron me të tashmen e të kaluarën duke kaluar në rrugëtimin e dhimbshëm drejt një lulëzimi në ndërtim të paqes, i cili vazhdimisht evoluon rreth hapësirës së vet. Këto tri qarqe ndahen përmes tri ngjyrave të ndryshme të arit, duke përfaqësuar tri kohë të ndryshme në përthekim të identitetit që vjen përmes simboleve të ndryshme. Ngjyrë e arit në ngjyrë të shampanjës është më e zbehtë dhe si e tillë paraqet të ardhmen, e cila ende është e padukshme por pret të ndriçohet dhe të forcoj shkëlqimin. “Okarina”, “Vrapuesja e Prizrenit”, “Ylli i Davidit”, “Labirinti i Smires”, “Kultri i gjarpërit”, “ Kulti i Diellit”, simboli që simbolizon lyerjen e nuseve më të bardha”, Notat që flasin për vallëzimin tradicional të “Shotës”, janë disa nga simbolet që kanë zënë vend në pjesën e djathtë të pikturës, e që bëjnë vizitorët kureshtar për të zbërthyer kuptimin e tyre. Përveç rrugëve, aty janë të përfshira edhe hapësirat e jeshilta.
Kjo pikturë është pjesë e koleksionit “Qytetet e Paqes”, i cili ka dhjetë vite që ka frymuar nëpër qytete si Jerusalemi, Bagdad, Kabuli, Jerusalemi, Beijingi, Hiroshima, New York e Lhasa. Si i tillë nderon historinë dhe kulturën e qyteteve botërore që kanë përjetuar konflikte dhe trauma të mëdha, e përmes muraleve duke e gërshetuar historinë e kulturën e tyre. Themeluesja e këtij projekti Ellen Frank tenton të krijoi një kulturë globale të vlerësimit të asaj që është e ndryshme.
Katër lloje të arit të çmueshëm duke përfshirë fletët e palladiumit shndritin këtë pikturë monumentale, që prek historinë 8000 vjeçare të vendit. Ajo përmbledh punën e studentëve, artistëve, studiueseve, nga etni dhe 38-të komuna të ndryshme, Prishtina. Përmes vijave të hollave të filigranit lëviz historia rreth lules që lulëzon në të tashmen. Vijat e holla të filigranit lidhin periudha të ndryshme, të cilat vazhdimisht janë në interaktivitet me njëra-tjetrën. Përmes gjashtë gjuhëve është gdhendur fjala “lulëzim”, duke e bërë të komunikueshme edhe me komunitet tjera në Kosovë.
Kënga epike “Baresha”, ishte ajo që dëgjohej në sfond pak para se të fillonte ceremonia e hapjes së ekspozitës, përcjellë më këngë të zgjedhura që i përkasin muzikës së vjetër shqipe. Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në jetësimin e pikturës monumentale. Ai tha se Ellen Frank me “Qytetet e paqes”, e ka sjellë një përvojë unike e krejtësisht të papërsëritshme në Kosovë.
“Ky është një projekt i rëndësishëm për paqen globale. Për një dekadë Elleni në vende te ndryshme ka bërë një punë të mrekullueshme, me fletë ari e rikujton të kaluarën dhe nga ai vend dërgon mesazhe të paqes. Këtë vit në Kosovë mblodhi rreth vetes një grup të rinjve dhe me qindra qytetarë e përfaqësues të institucioneve u ndërtua një vepër me motive të trashëgimisë kulturore e që si koncept e ka filigranin dhe si mjeshtëri dore por edhe si vend ka prodhuar ari e argjend me shekuj e që ende se dimë a ka qenë fat a fatkeqësi e këtij vendi”, u shpreh Boshtrakaj, duke shpresuar që kjo vepër nga tetori do të jetë në mesin e veprave të tjera “Qyteteve të paqes “në ndërtesën e Kombeve të Bashkuara.
Pas tij, fjalën e mori zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit- Burbuqe Bakija, e cila falënderoi drejtoreshën e projektit që ka zgjedhur që Prishtina të jetë në hartën e qyteteve që do të vazhdojnë tutje të prezantojnë vlerat e trashëgimisë dhe ato artistike të Kosovës.
“Kjo vepër që ka motive të trashëgimisë kulturore, duke u bazuar në të kaluarën e duke kaluar në të tashmen jep mesazhin për paqe për të ardhmen e kombeve tona”, u shpreh Bakija gjatë fjalës së saj.
Richard Mei nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara tha ne emër të ambasadës amerikane se ndihen të nderuar që kanë bashkëpunuar në këtë projekt të veçantë.
“Dua të them se jemi të nderuar që të bashkëpunojmë në këtë projekt, me Ellen Frank dhe çdo njërin që ka punuar në këtë projekt. Shpresoj që përmes kësaj mesazhi i paqes. I uroj këtij projekti më të mirën dhe do ta vazhdoni ta bashkoni botën”, tha në fjalën e tij Mei.
Edhe Universiteti i Prishtinës ka qenë njëri nga përkrahësit e këtij projekti. Rektori i UP-së, Marjan Dema në emër të Universitetit të Prishtinës, studentëve e stafit e falënderoi Ellen Frank dhe “Qytetet e Paqes që i kanë ofruar Kosovës një dhuratë kaq të çmueshme.
“Unë ndihem mirë që edhe UP ka dhënë një ndihmë ne këtë projekt kaq të madh. Ellen, ka qenë kënaqësi e imja të të njoh, sa herë të shoh kam një ndjenë që po e shoh Nënë Terezën”, tha Dema në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve dhe Ellen Frank.
Krejt në fund, para se të zbulohej piktura “Lulëzimi”, Themeluesja dhe Drejtoresha artistike e “Cities of peace”, Ellen Frank iu drejtua të pranishmëve. Me modesti, ajo gjithë suksesin ua dedikoi atyre me të cilët ka punuar aq gjatë në këtë projekt, duke i ftuar kështu gjithë studentët të bashkohen në skenë me të.
“Unë jam duke qëndruar këtu dhe njerëzit që kane punuar janë duke qëndruar këtu po ashtu. Ejani këtu, kjo skenë është për ju. Këta janë e ardhmja e Kosovës. Të talentuar, të përkushtuar, duke punuar aq gjatë, duke dhënë gjithçka ditën e natën. Jeni të mrekullueshëm. Kjo pikturë është e juaja”, u shpreh Ellen Frank.
Pasi publiku ndjekur hapat e saj për të zbuluar monumentin, Ellen Frank së bashku me studentët u sqaruan të pranishmëve punën e tyre. Ardona Hajdaj, njëra nga studentët që ka bashkëpunuar në këtë projekt tha se kanë vendosur shumë punë, energji dhe emocion në këtë pikturë.
“Shpresoj që do të ju pëlqej puna jonë e lodhshme dhe shumë delikate. Kjo është për Kosovën, popullin tonë dhe të gjitha komunitetet që bëjnë pjesë në të”, tha Hajdaj në fjalën e saj.
Kjo pikturë është bashkëpunim mes CHwB Kosovës, Ambasadës Amerikane, Universitati i Prishtinës, Qyteteve të Paqes dhe Muzeut të Kosovës./ KultPlus.com