23 Korrik, 2022 - 8:00 pm
Uranik Emini
Të punosh vepra arti është gjë shumë e vështirë, e të kesh një kohë të limituar për ta bërë një gjë të tillë, shpesh herë është edhe e pamundur. Megjithatë, ekspozita e sivjetme e Kosovës “The Monumentality of the Everyday” nga artisti Jakup Ferri në Bienalen e Artit 2022, u paraqit me shumë sukses dhe madje u mirëprit shumë mirë nga gjithë vizitorët aty, duke u përshkruar si diçka që frymëzon lumturi, optimizëm dhe shpresë, shkruan KultPlus.
Mënyra e vetme dhe vendi i vetëm për të marrë një kopje falas të librit “The Monumentality of the Everyday” ishte pikërisht sot në Kino Armata, kur edhe ekipi i Kosovës në Pavijonin e Venedikut u mbledhën bashkë për të ndarë mes tjerash përvojën e tyre në këtë Bienale.
Ekspozita e kuruar nga Inke Arns është një instalim i veprave të Jakup Ferrit, si piktura, qëndisje dhe qilima, të cilat i gjeni të prezantuara në librin e ekspozitës të dizajnuar nga Diellza Veliqi dhe Lira Gjikolli.
E para për të marrë fjalën ishte komisionerja e pavijonit, Alisa Gojani, e cila hapi edhe këtë ngjarje dhe pati disa falënderime për ekipin që e bënë të mundur realizimin me shumë sukses të kësaj ekspozite.
“Ne besojmë se kjo është një mënyrë shumë e mirë për të paraqitur punën tonë dhe atë se çfarë kemi bërë në Bienale. Ne kemi këtu zyrtarë nga Ministria e Kulturës, zyrtarë nga Qeveria dhe gjithashtu edhe artdashës të tjerë të pranishëm, të cilët i falënderojmë shumë”, thotë ajo mes tjerash.
Liburn Jupolli – Këshilltari politik i Ministrit të Kulturës, u shpreh shumë krenar për të arriturat e Kosovës në kulturë këtë vit dhe jo vetëm.
“Kemi nderin që si Kosovë, si Ministri e Kulturës të prezentohemi këtë vit në Bienalen e Artit 2022 nga një artist shumë i veçantë siç është Jakup Ferri. Puna e tij e paraqet një pjesë shumë interesante dhe të veçantë nga pjesa e pas-luftës. Sot do të shohim këtë punë të ndërthurur në një libër, një ekip shumë, shumë punues që kanë bërë të mundur edhe realizimin e kësaj ekspozite. Dua të falënderoj gjithë njerëzit që prezantuan Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme. Ministria e Kulturës qëndron mbrapa shumë aktiviteteve të ndryshme artistike e kulturore, siç është edhe “Manifesta 14″, e ky event le të jetë një monumentum tjetër i një viti kulturor këtu”, thotë ai.
Gojani edhe një herë tjetër, e ftoj me shumë kënaqësi kuratoren Anke Arns, për të ndarë përvoja të ndryshme rreth asaj se çfarë është biseduar, punuar e kaluar nëpër punimin e kësaj ekspozite.
Arns, rikujtoi fillimisht momentin kur edhe ka kontaktuar me Ferrin, ajo fillimisht hezitoi 3 sekonda kur ky i fundit i kërkoi që të jetë kurator i saj.
“Unë kam kontaktuar në dhjetor me Jakup Ferrin dhe më pas jemi pajtuar që të shkojmë bashkë. E kemi përgatitur konceptin dhe kemi hyrë në garë. Ajo se çfarë e bën më interesant këtë rrugëtim është koha e limituar që kemi parë. Gjithçka që ju po shihni këtu, është ndërtuar nga janari në prill, pra, një periudhë e shkurtër kohore”, thotë ajo.
Kuratorja e Pavijonit të Kosovës vazhdon të tregojë edhe histori të tjera, derisa një prej më të veçantave është kur ka takuar një të huaj dhe ka pyetur për vendin.
“Në hapësirën e ndarë për ne, kishim vizitorë të shumtë, e një prej tyre më pyeti se cili shtet është ky? Unë nuk hezitova t’i tregoj që është Kosova dhe ai u habit kur e mësoi një gjë të tillë. E njihte Kosovën si shtet, por nuk ishte mësuar që të shihte gjëra me kaq shumë ngjyrë dhe kaq shumë shpresë në to”.
Siç njofton ajo, shumë njerëz erdhën për të parë nga afër pavijonin e Kosovës dhe ekspozitën e Jakup Ferrit, pasi u ndjen shumë rehat në të.
Arns e përshkroi si një rrugëtim fantastik prezantimin e Kosovës në Bienalen e Artit 2022, duke ftuar të pranishmit që të marrin nga një libër, kopja e vetme që jepet.
Koordinatori i Pavijonit të Kosovës, Engjëll Berisha, ka thënë për KultPlus që një prej pikave kryesore të një Pavijonit është gjithmonë edhe katallogu që bëhet.
“Ka dalë një katallog tepër i bukur dhe kemi dashtë që t’i shpërndajmë edhe këtu librat, pasi kemi pasur dëshirë që shumë njerëz të marrin nga një kopje. Është një periudhë shumë e shkurtër që realizohet puna dhe përzgjedhja e ekipit zakonisht bëhet nga vetë artisti”, njofton Berisha.
Ai gjithashtu ndanë edhe përvoja nga turistët që kanë vizituar Pavijonin e Kosovës aty.
“E kemi pa shumë të veçantë pjesën ku një numër i madh i njerëzve vijnë me u relaksu, me u shtri pak e kështu me radhë. Si diçka që ndodhë rrallë, njerëzit që kanë ardhur aty, e kanë komentuar ekspozitën si shumë pozitive dhe që po i bën të ndjehen më mirë”, shprehet Berisha.
Ndërkaq, shumë prej të pranishmëve u mblodhën në radhë për të marrë librin “The Monumentality of the Everyday”, i cili përpos dizajnit të bukur që pati, brenda kishte edhe vepra të artistit Jakup Ferri. /KultPlus.com