Lumturinë që i mungonte si fëmijë e plotësonte me ngjyrat e ndezura, artisti amerikan tash po zbukuron edhe Anibar

5 Gusht, 2018 - 6:50 pm

Gili Hoxhaj & Alberina Haxhijaj

Paqja është kryefjala e çdo fjalie me të cilën nis ditën. Kur flitet për paqen, edhe nëse flitet kundër luftës, kjo fjalë as në këtë kontekst nuk duhet të zë vend në fjalorin e tij. Ai thotë se energjia që reflektohet mes pamjeve e fjalëve, është thelbësore për ta parë botën. Gibran Isaias Lopez i cili profesionalisht njihet si Isais Crow, për të cilin thotë se është emër shpirtëror i tij, “Crow” që do të thotë “Zog”, thotë se është emri që ia ka vënë vetes në moshën 14 vjeçare, e ka përfaqësuar naivitetin e tij derisa ka vandalizuar rrugët. Crow është një artist i muraleve dhe autor librash që në mënyrë artistike ka zbrazur ngjyrat e tij në shumë vende të botës, duke përcjellë mesazhe të një shpirti shumëngjyrësh e në harmoni me jetën. Mjedisi ku është rritur, në El Paso në Texas, një vend në kufi me Meksikën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thotë se ka ndikuar mjaft shumë në mënyrën e tij për ta shprehur veten. Mjedisi i dhunshëm i ka shërbyer për ta kundërshtuar në çdo formë dhunën, e që më së shpeshti e bën përmes artit të tij.

Në punimet e tij dominojnë ngjyrat e ndezura, si reflektim i pozitivitetit e botës së tij të brendshme. Figura e gruas që sheh botën drejt në sy, është tejet e pranishme. Në shumë prej muraleve të tij janë të portretizuar sytë, të cilët qëndrojnë të veshur me ngjyrat e ndezura. Portretin e një familje të lumtur, nuk e ka gëzuar edhe në fëmijërinë e tij, por praninë e tij mund ta gjesh në shumë prej muraleve që ai ka punuar. Të bashkuar dhe të buzëqeshur, i japin një mesazh ndryshe botës, një mesazh ndryshe nga ajo çfarë artisti Crow ka përjetuar. Derisa flet duart dridhen në harmoni me fjalët, pauzat mes tyre shpërfaqen në sytë e mbyllur pasi që fjalët janë një komunikim i thellë ndjenjash.

Artisti amerikan që përmes muraleve reflekton paqen e dashurinë

Me ftesën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Isais Crow ka qëndruar për disa ditë në Kosovë, derisa shumë të rinj nga qytete të ndryshme të Kosovës kanë pasur mundësi të mësojnë nga përvoja e tij sa i përket muraleve. Po ashtu ai do të jetë pjesë e festivalit “Anibar”, ku do të pikturoj muralin e këtij festivali
Në një intervistë të realizuar për KultPlus, ai thotë se punimet e tij artistike janë reflektim i energjisë të cilën ai e merr dhe e jep. Vetën e sheh si një kanal e udhëzues i shpirtit të tij. I rritur në një familje ku babai ishte alkoolist, i dhunshëm me nënën e tij, e i dashur me fëmijët, ai shpesh ishte rrekur pas pyetjes se pse kjo po i ndodhte familjes së tij dhe për ku ka ikur dashuria. Derisa prindërit iu divorcuan, ai kishte një mënyrë për të shprehur gjithë tensionin që ndjente brenda, këtë e bëri duke hedhur sprej me ngjyra.

“Fillova që të pyes vetën se çfarë ka ndodhur me gjithë dashurinë që kishte babi im dhe perse ai ishte bërë i tillë. Ata u divorcuan më pas, dhe sot me kujtohet ajo kohë dhe njëjtë e pyes vetën se çfarë ka ndodhur. Dhuna pastaj për mu u bë diçka normale. Unë kam lindur në El Paso në Texas, një vend në kufi me Meksikën, kështu që unë kam jetuar në mes të dy vendeve. Në El Paso, Amerika po shkonte në luftë me Irakun, ndërsa në anën tjetër në Meksikë, afër nesh shumë gra filluan që të zhdukeshin. Pra kisha dhunë edhe brenda shtëpisë sime por edhe jashtë. Kështu që unë mendoja ku është dashuria, çfarë ka ndodhur? Derisa kjo ndodhte fillova që të vandalizojë rrugët më sprej me ngjyra, kjo ishte mënyra ime që të shprehja ndjenjat e mia dhe gjithë tensionin që ndjeja brenda”, tregon artisti amerikan.

Nga hedhja e ngjyrës ilegalisht në rrugë deri tek pranimi i ofertës nga departamenti amerikan

Dhuna e cila ishte e pranishme brenda mureve të shtëpisë së tij por edhe jashtë saj, e kishte nxitur që fillimisht në mënyrë ilegale të hedhë sprej në rrugë. Megjithatë babai kishte qenë i pari që e kishte inspiruar, ai tek i cili kishte hasur fillimisht të pikturuarit, i cili për shkak të mungesës së parave, këtë praktikë e kishte rralluar. Megjithëse në familje e kishte dhënë një shembull të njeriu të dhunshëm e që prania e tij shpesh mungonte, babai i Crow, kur kishte kuptuar për mënyrën ilegale me të cilën biri i tij po e shprehte vetën, i kishte dhënë një këshillë për të ndryshuar.

“Më vonë babi im e kuptoji që unë po ngjyrosja nëpër rrugë në mënyrë ilegale dhe erdhi në shtëpi duke më pyetur se çfarë po bën. Unë isha nervoz dhe i thash se gjithë këto po ndodhin dhe ti nuk je në shtëpi dhe ai më thotë se më kupton por kjo nuk ishte zgjidhje. Në fillim nuk e kuptova, mirëpo më vonë po. Babi im edhe pse ishte një i alkoolizuar, ai përsëri ishte pjesë e jetës sime dhe më udhëzonte apo vinte në shtëpi dhe më pyeste për vizatimet e mia apo për librat që kisha lexuar, pasi që kjo ishte një e mirë e tij, ai lexonte shumë: Kafkën, Niçen. Sipas tij të jesh më shumë i informuar ndikon që arti që bënë të jetë më shumëngjyrësh, më i avancuar. Ai ishte këmbëngulës që në vend të që vizatoj në mënyrë ilegale, unë duhet që të marrë leje në komunitete të ndryshme dhe kështu të bëj murale nëpër muret e tyre dhe kjo ishte pikërisht ajo që kam bërë”, tregoi për KultPlus artisti Crow.

Derisa kishte filluar që të marr leje për të krijuar murale e tij, shumë fëmijë e të rinj kishin kërkuar t’i bashkoheshin. Pikërisht tek ta, ka gjetur reflektimin e vetes.

“Ajo që kam parë në ta ishte një reflektim, ata ishin njëlloj si unë, nuk kishin se ku të shkonin, ishin konfuz dhe unë isha aty për ta, për t’ju treguar se kjo është në rregull dhe kështu mbanin masterklasa, pas shkollës në verë. Kështu që fillova që për këtë të investojë paratë e mija dhe fëmijët ishin çdo herë aty gati për të punuar së bashku”, shprehet tutje.

Pesë vite me vonë, puna e tij e kishte bindur Ambasadën amerikane në Costa Rica për ta telefonuar dhe për t’i kërkuar që t’i bashkohej njërit nga programet e tyre.

“Dhe kështu pastaj filloi rrugëtimi im nëpër vende të ndryshme”, shprehet artisti.

“Unë nuk jam këtu që të ndryshojë mendimet e njerëzve, mirëpo vetëm që të ju tregoj sesa të mrekullueshëm janë”

Sipas artistit e kaluara rri në errësirë, ndërsa ne të ardhmen shihet drita. Sipas tij. njeriu mund të rritet vetëm kur këto dy kontraste bashkohen dhe errësira kthehet në dritë.

“Kam kuptuar se kur ne përdorim kontraste, errësirën dhe dritën si mjete dhe kur përdorim errësirën duke e purifikuar në dritë, ne mund të rritemi. Shumë prej nesh ngecin vetëm në errësirë duke thënë se kjo më ka ndodhur dhe nuk ecin më përpara, mirëpo kjo nuk është qëllimi, qëllimi është që errësirën ta kthejmë në dritë. Të jetojmë përmes dashurisë duke vetreflektuar. Përmes vetreflektimit (introspektivës) unë lidhem me shpirtin tim, me universin, me Zotin, sido që mund ta quani dhe fillova që të shoh se unë jam ti, edhe ai, edhe ajo, pra jam çdonjëri, dhe e pash që të gjithë kemi shumë dashuri, shumë fuqi dhe shumë energji ”, thotë tutje Crow.

Kur ai pikturon në mure, duket sikur ai nuk derdh ngjyrat por shpirtin e tij, pasi që thotë se në mure është shpirti, apo sipas tij është vendi ku shpirtrat e ndryshëm komunikojnë mes vete. Jeta e vështirë e grave që e kanë rrethuar, e kanë bërë të kuptoj se ato e meritojnë të kundërtën, meritojnë çdo ditë t’u rikujtohet se sa të mrekullueshme janë. Sipas tij, shpirti i botës ka nevojë për shërim, ndërsa në formë retorike ngrit pyetjen se kush mund ta shërojë atë më mirë se gratë?

“Ata mund të duken sikur njerëz pasi që kështu i perceptoj unë por në fakt nuk kanë formë. Kur i shikoni puna e tyre është që të ju rikujtojnë sesa të fuqishëm dhe të mrekullueshëm të gjithë jeni dhe kjo është e njëjta gjë që po ju them juve, dhe kjo është arsyeja edhe pse dora ime po dridhet pasi që është shpirti im që po flet dhe po ndanë me ju gjithë këto. Unë mund të konsiderohem edhe një avokat i të drejtave të grave, sepse jam rritur nga katër gra, nëna ime dhe tri motrat e mia të cilat më kanë mësuar sesa të mrekullueshme janë. Besoj që gratë duhet që të jenë ato që e udhëheqin këtë botë, pasi që ne kemi nevojë për shërim dhe kush mund të shërojë më mirë se vet gratë, nënat tona”, flet në mënyrë të qetë artisti Crow, derisa lëviz duart në harmoni me fjalët, e pauzat i shpërfaq në sytë e mbyllur.

Ai ka shkruar gjithsej pesë libra, e është autor i shumë videove përmes të cilave shpërndan mesazhe frymëzuese. Ai thotë se çdokush ka energji të mjaftueshme sa të mund ta përdor atë në forma të ndryshme.

“Unë kam pesë libra, njëri prej tyre është një novelë, eshtë për jetën time të bazhkëdyzuar edhe me fiksion, është kryesisht për të kaluarën, duke u rritur si një fëmijë që ndjehet konfuz dhe i humbur por edhe duke mësuar për kontrastet që ka jeta dhe duke i përdorur ato për të rritur dhe duke u lidhur me rrënjët e mia, me paraardhësit, me shpirtin tim, me subkonshiencën time, pasi që në këtë mënyrë unë jam i udhëzuar”, tregon tutje Crow, ndërsa shton se libri i dytë ka të bëjë me punëtoritë dhe masterklasat që rrumbullaksojnë 15 vite të punës së tij, ndërsa libri i tretë është një libër me ngjyra, ndërsa të tjerët i ka në bashkautorësi me miken e tij, ndërsa libri flet pikërisht për shërimin, për të rinjtë që nuk kanë një rrugë të duhur për të ndjekur.

“Kur nuk ndjehem mirë nuk pikturoj pasi që energjia negative reflektohet”

Ai thotë se mesazhet që në mure janë shumë të rëndësishme për një shoqëri, pasi që përçojnë energji të përditshme tek njerëzit. Sikur fjalët edhe pikturimi për të janë reflektim i vetes dhe përçojnë energjinë e brendshme.
“Nëse nuk ndjehem mirë nuk pikturoj, pasi që gjithë energjia negative do të reflektohet. Pra nëse e shkruan fjalën “Luftë” sigurisht që ajo do lidhet me emocione negative, por nëse e shkruajmë në mur “Dashuri” apo “Paqe” ajo do reflektojë energji pozitive. Prandaj edhe kur shikoni muralet e mia do thoni wow ngjyra të ndezura, edhe pse ndoshta nuk do t’i kuptoni, do thoni se s’ka rëndësi, pasi që krijojnë ndjenja të mira”, shprehet tutje ai.
Mesazhi i tij për të gjithë artistët, veçmas ata të muraleve është që të kërkojnë brenda shpirtit të tyre dhe të mos jenë të lidhur vetëm me sipërfaqen.

“Reflektoni brenda vetës suaj që ta shikoni sesa të fuqishëm jeni, sa të mbrojtur jeni nga engjëjt, nga pasardhësit, nga çfarëdo që ju besoni. Ne jemi shpirtrat tanë, pra kërkoni brenda shpirtit tuaj, meditoni, bëni çfarëdo, po thjeshtë lidhuni me vetën tuaj të brendshme, pasi që kështu do keni mundësi që të shikoni përmes universit, përmes vetës suaj, jo përmes syve të të tjerëve apo përmes mediave e të tjerave”, përfundon ai./ KultPlus.com

Të ngjajshme