27 Maj, 2024 - 4:19 pm
“Madama Butterfly” e Giacomo Puccini-t, me libret të Luigi Illica dhe Giuseppe Giacosa, pati premierën mbrëmjen e ditës së diel.
“Madama Butterfly” erdhi si një produksion i “Festival Pucciniano di Torre del Lago”, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës. Vepra e kompozitorit italian Puccini, e vënë në skenën e operës së Tiranës nga regjisorja e famshme Manu Lalli, përshkruan dhimbjen për humbjen e një gruaje të tradhtuar në dashuri e të abuzuar, si dhe shkatërrimin që i bëhet natyrës nga njeriu.
Natën e premierës, e ftuara e nderit e këtij produksioni, sopranoja e mirënjohur Anna Pirozzi, interpretoi rolin e Cio Cio San-it. Përveç Anna Pirozzi-t, natën e parë në skenë u ngjitën Klodjan Kaçani në rolin e Pinkertonit, Ivana Hoxha si Suzuki, Armando Likaj si Sharpless, Simona Karafili si Kate Pinkerton etj.
Opera e Puccini-t do të shfaqet edhe sonte, më 28, 30 maj si dhe më 1 qershor./atsh/KultPlus.com