4 Shtator, 2019 - 2:00 pm
Jeta Zymberi
Magjia e fustaneve të disenjatores Lena Berisha po merr vëmendje të madhe jo vetëm në Kosovë por edhe në Hollywood, shkruan KultPlus.
Arti i saj ka arritur deri te modelet e njohura nga Libani, e madje edhe te Bebe Rexha e cila me kreacione të disenajtores kosovare u prezantua në mbrëmjen e “City Of Hope” që u mbajt në Santa Monica të Los Angelesit ku e gjithë vëmendja e mediave botërore ra mbi Beben.
Arritjet e këtij niveli dhe interesimi i vazhdueshëm për artin e saj po e nxisin disenjatoren që të sjell koleksione të reja shumë më shpesh.
Por, koleksioni i fundit është një tjetër vulë e suksesit për Berishën.
Të shkrira në trupin e modeles nga Shqipëria, Oriola Marashi, dizajnet e koleksionit më të ri të Lenës kanë marrë vëmendje të madhe.
Deri më tani ajo ka prezantuar disa veshje, por që gjithsej ky koleksion përmban 15 të tilla.
E veçanta e këtij koleksioni janë materialet më të cilat ajo ka punuar.
“Shumica e fustaneve janë punuar me materiale nga metali dhe punë dore. Për këtë koleksion janë inspiruar nga vitet 2000 por që i kam ndërlidhë me trendët e sotme, duke sjell një bashkëdyzim interesant”, ka theksuar disenjatorja për KultPlus.
Ajo ka potencuar që ky është koleksion “ready to wear 2020”.
Pritet që krijimet e saj t’i shohim teksa parakalojnë në tapet të kuq nga artistë të njohur botëror, apo prezantime të tjera shumë të rëndësishme pasi që sipas disenjatores interesimi është i madh nga artistë e modele botërore.
“Ka interesim të madh nga Hollywoodi për këtë koleksion, emra të njohur të artistëve por edhe stilistë të yjeve më kanë kontaktuar. Jam duke punuar për emra të njohur që do t’i zbuloj shumë shpejt”, ka përfunduar Berisha. / KulPlus.com