Magjia e veprave të Gjelosh Gjokajt ka mbërthyer Galerinë e Arteve të Kosovës, u vlerësua si figura kryesore kulturore që lidh Malin e Zi dhe Kosovën

16 Maj, 2024 - 1:02 pm

Galeria Kombëtare e Kosovës në mbrëmjen e së mërkurës ishte e mbushur në të gjitha anët.  Hapja e ekspozitës ”Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokaj” mbushi me figura të njohura oborrin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, e më vonë edhe 2 katet në hapësirat e brendshme. Ekspozita me pikturat e Gjokajt, përjetime të cilat ai i jetësoi në letër, përcjellin gjithçka që atij i ka mbetur në kujtesë, përgjatë më shumë se 50 viteve të karrierës së tij.

Fuqinë e artit, siç e quajtën “Pablo Picasso i Ballkanit”,e ka përdorur për të thelluar ndjenjat e tij dhe për të bërë secilin prej nesh që del para pikturave, të fokusohemi si në një libër, pasi do shumë përqendrim për t’u kuptuar.

Ekspozita që u hap mbrëmë e do qëndrojë e hapur deri më 7 korrik, është dëshmi që artistët kanë fuqinë të jetojnë përgjithmonë, përmes veprave të tyre, e sidomos kur flasim për Gjelosh Gjokaj.

Ambasadori i ShBA-ve Jeffrey Hovenier, ambasadori i Shqipërisë Petrit Malaj, ambasadori i Malit të Zi Bernard Çobaj, zëvendëskryeministri i Malit të Zi Nik Gjeloshaj, kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, janë vetëm disa nga figurat e njohura që ishin prezent në këtë natë, duke përfshirë edhe shumë artistë, politikanë e qytetarë që kishin ardhur për të parë veprat e Gjokajt.

Gjelosh Gjokaj u lind në vitin 1933 dhe ka vdekur në vitin 2016. Ai është një ndër artistët më të shquar të periudhës së modernizmit shqiptar. Pos në Kosovë dhe Mal të Zi, Gjokaj e ka zhvilluar karrierën edhe në Gjermani dhe Itali. Ai ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në Kosovë si pedagog dhe themelues I shkollës së grafikës dhe si piktor.

Ekspozita “Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokaj”, u hap në nder të 90 vjetorit të lindjes së tij, me 25 veprat nga koleksioni privat i Sead Gjokaj, i cili është edhe familjar i artistit. Secila vepër mbante të shënuar vitin në të cilin është realizuar, duke filluar që nga viti 1961 e deri në vitin 2012.

Në fazat e hershme, ai krijonte piktura dhe grafika me tema dhe tipare narrative si piktura me figura pa identitet që ngjajnë në lodra fëmijësh, por që artisti i paraqet si të “mobilizuar” në falanga totalitare.

Kuratori Shkëlzen Maliqi ka shkruar se imazhet e artit të Gjokajt u referohen kujtesave adoleshente të tija nga Lufta e Dytë Botërore. Në vitet e 80ta, Gjokaj largohet nga imazhi përfaqësues për tu afruar asaj që Merleau Ponty e quante “botë e heshtur pikturale”. Në veprat e viteve të 80ta, ai i shmanget tërësisht qasjes së ”pikturimit” të ideve dhe të porosive, ndaj të cilës kishte qenë besnik për më shumë se tri dekada.

Disa prej pikturave ishin pa titull, por që nuk mungonte informacioni se kur ishin krijuar ato vepra.

“Djali me qengj” në vitin 1983, “Klithja e Van Gokut” në vitin 1989, “Toleranca” në vitin 1989, “Kompozim” në vitin 1992, “Koka” dhe “Adami” ishin disa prej pikturave që kishin të vendosura edhe datën edhe titullin.

Hapja e ekspozitës që ishte e planifikuar të bëhej në orën 19:00, filloi me një fjalim hyrës nga zëvendës drejtoresha e Galerisë, Alisa Gojani-Berisha duke falënderuar të gjithë të pranishimit që ishin politikanë, ambasadorë, artistë, profesorë e akademikë.

Fjalimin e parë nga të ftuarit e mbajti kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili fillimisht u shpreh se beson se është ftuar më shumë si studiues modest i artit dhe jo patjetër si kryetar i Kuvendit dhe se rendi do të ishte të flasin fillimisht artistët dhe profesionistët por agjendat po ndërtohen ndryshe.

Ai ka folur për figurën e Gjelosh Gjokajt, duke treguar se për herë të parë pikturën e tij e ka parë në moshën 19-vjeçare, që ishte piktura “Rrëmbimi i Evropës” e vitit 1980.

“Kam qenë shumë i ri kur e kam parë pikturën e parë të Gjelosh Gjokajt, i kisha diku 19 vjet, ishte piktura ‘Rrëmbimi i Evropës’ e vitit 1980, në akuatintë. Edhe për mua ishte tronditje e madhe duke qenë se kisha hyrë të studioja pak artin botëror dhe i njihja gjigandët e pikturës botërore. Në fillim kjo pikturë m’u duk sikur të ishte e Marc Chagallit, edhe kur e kuptova që është e Gjeloshit thash më vete edhe ne e paskemi Chagallin tonë”, ka thënë Konjufca.

Pas tij, fjalën e ka marrë zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, i cili tha se edhe pse me artistin e madh vijnë nga i njëjti vend, me të për herë të parë janë takuar në Prishtinë, në vitin 2000 si student në Prishtinë.

“Me veprën e Gjeloshit të gjithë krenohemi, por një simbolikë tjetër e cila kur më ftoi ambasadori që të jem sot në Prishtinë në saje të festimit të 18-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi dhe ditëlindjes së Gjeloshit, pranova me kënaqësi që t’i gërshetojmë ato, sepse pikërisht në këtë mënyrë mendoj se gërshetojmë shumë vlera që kemi të përbashkëta të dyja shtetet, dhe të përçojmë bashkëpunimin e mirë që ka Mali i Zi me Kosovën dhe që do të vazhdojë ta ketë”, u shpreh ai.

Ndërkaq, kuratori Shkëlzen Maliqi u shpreh se ka një borxh ndaj artistit Gjokaj, pasi ai vinte shpesh në Prishtinë dhe i kishte kërkuar t’ia bënte monografinë e parë por që nuk ka arritur. Ai u shpreh se i kishte mbetur merak dhe më vonë familjari i artistit dhe koleksionisti Sead Gjokaj e kishte kontaktuar për të folur për këto vepra.

Kurse në fund, ambasadori i Malit të Zi, Bernard Çobaj, foli në gjuhen angleze për hir të ambasadorëve të shteteve të huaja që ishin prezent, duke u shprehur se Gjelosh Gjokaj është figura kryesore kulturore që e lidh Malin e Zi me Kosovën.

“Gjelosh Gjokaj i njohur si maestro është figura kryesore kulturore që lidh Malin e Zi dhe Kosovën, është quajtur dhe Picasso i Ballkanit, dhe ekspozita do ta tregojë së përse”, ka thënë Bernard Çobaj, ambasador i Malit të Zi në Kosovë.

“Me këtë ne po shënojmë ditëlindjen e artistit dhe përvjetorin e pavarësisë së Malit të Zi. Në Mal të Zi ne kemi shprehjen ‘I përjetshëm qoftë Mali i Zi’, unë do të shtoja e përjetshme qoftë miqësia e Malit të Zi me Kosovën”, ka thënë ai. 

Kurse, profesoresha e pikturës, Zake Prelvukaj, pas ceremonisë së hapjes së ekspozitës, tha për KultPlus se Gjelosh Gjokaj e ka pasur një ekspozitë këtu edhe më herët në vitet e 2000-ta, por ajo që është më e mira është se këtë herë është hap ekspozita për nder të 90 vjetorit të tij të lindjes.

“Jemi përpjekë ta bëjmë një ekspozitë të mirë, ma e mira ishte që për 90 vjetorin e tij. Ne e kemi bërë një bashkim me Ambasadorin e Malit të zi, me koleksionistin Suad Gjokaj që është koleksionisti më i madh i veprave të Gjelosh Gjokaj dhe na i ka sjellë të gjitha veprat. Sonte po shihet që Gjeloshi po komunikon me ne përmes veprave, edhe pse nuk është sonte me ne, dhe ai e ka bërë një mënyrë arti që do të lexohet gjithmonë ndryshe, që është një formulë matematike e artit”, u shpreh ajo për KultPlus.

Ekspozita do të rri e hapur deri më 7 korrik të këtij viti./KultPlus.com

Të ngjajshme