6 Mars, 2019 - 12:00 pm
Alberina Haxhijaj
Mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Kosovës është bërë hapja e ekspozitës së artistes Majlinda Kelmendi, shkruan KultPlus.
Artistja Kelmendi në veprat e saj të fundit të cilat erdhën të ekspozuara mbrëmë tregoi lidhshmërinë që ka ajo me të kaluarën, të tashmen por edhe me procesin e të ëndërruarit.
Sipas kuratorit Edison Çeraj, artistja Majlinda Kelmendi nuk i rikthehet të shkuarës ngaqë është e magjepsur prej saj, as për t’u arratisur prej të tashmes, por mbi të gjitha, për të njohur veten dhe për të kuptuar kohën në të cilën jeton.
“Ashtu siç nuk zgjedhim se çfarë kujtojmë e çfarë harrojmë, po ashtu nuk zgjedhin se kur do mendojmë e kur do ndiejmë. E gjitha rrjedh, vetëm rrjedh. Ne dorëzohemi, pastaj ngrihemi. Më pas zgjedhim, pastaj harrohemi. Me pas kujtohemi, me shpresën që të mos jetë vonë. Edhe kur është vonë, ka gjithmonë një xhep kohë për të bërë atë që duhet. Është ai xhep kohë që të rikthen të gjithë “kohën e humbur”. Kelmendi e kërkon me ngul këtë “kohë të humbur”, atë kohë të ndaluar ku lejohej vetëm ajo që diktohet “vija e partisë”. Ajo kërkon gjurmët e asaj periudhe në të tashmen e saj, në atë çfarë ajo është sot jo vetëm si artiste por mbi të gjitha si njeri”, thekson Çeraj.
Koncepti i ekspozitës “A është e shkuar ëndërr” sipas artistes Kelmendi ka ardhur pikërisht duke kërkuar përgjigje në këtë pyetje e cila sipas saj na shoqëron të gjithëve. Mirëpo përtej kësaj pyetje ajo tregoi për KultPlus se në veprat e saj dëshiron që të vejë afër njëra-tjetrës të shkuarën dhe realitetin për një analizë pasi që sipas saj pa e njohur të shkuarën nuk mundemi të derivojmë në të tashmen.
“Ne kemi pasur tranzicion të gjatë në Shqipëri dhe në Kosovës dhe historianët e ndryshëm janë përpjekur që të manipulojnë me virtytin dhe me historinë tonë por jo me ëndrrën tonë. Me këtë kam dashur që edhe të ngacmojë publikun, në mënyrë që sa të ketë jetë të ketë edhe ëndërr. E shkuara nuk duhet që të ndikojë në të ardhmen tonë por gjithsesi ajo është aty afër nesh dhe ne duhet të përpiqemi për pak ndryshim”, u shpreh ajo duke thënë se e gjithë ekspozita e saj është lojë me simbole diçka që mund të vërehet edhe nga vizitorët të cilët do e shohin këtë ekspozitë.
E rëndësishme sipas artistes përtej historisë si e shkuar në rrafsh shoqëror është se çdo njeri ka një të shkuar në rrafsh individual në këtë rast kujtimet. Pikërisht këto kujtime sipas saj- të cilat mund të barten në forma të ndryshme si përmes shkrimeve apo në këtë rast përmes artit- krijojnë së bashku memorien kolektive.
Veprat e Kelmendit të cilat erdhën te ekspozuara sonte duke përfshirë këtu edhe video-instalacionet, shtriheshin përgjatë mureve të lyera me të bardhë apo të zezë. Ngjyra tjetër që veçohej në këtë ekspozitë ishte e kuqja, një përzgjedhje e tillë për modifikimin e hapësirës ekspozuese sipas artistes është bërë në mënyrë të qëllimshme dhe krijon lidhshmëri me veprat e video-instalacionet e ekspozuara.
“Shumë gjëra të së shkuarës janë në tym në kujtesën tonë por herë pas herë ngjarje apo histori të caktuar, qofshin ato të bukura ose jo, ngelin në kujtesën tonë ashtu siç janë sot. Ndërsa e kuqja simbolizon dy gjëra, së pari kujtimet që mbeten sikurse janë sot, reale. Pastaj edhe si ngjyrë që lidhet me atë si për shembull në komunikacion e që ndalon diçka, për t’u larguar nga diçka që nuk të bënë mirë për të tashmen”, u shpreh artistja për KultPlus.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë këtij muaji për të gjithë të interesuarit të cilët dëshirojnë që të zbërthejnë më shumë lidhshmërinë në mes të së kaluarës, të tashmes dhe ëndrrës që ka sjell artistja Majlinda Kelmendi përmes artit të saj. / KultPlus.com