27 Tetor, 2021 - 9:30 pm
Makinat e konfiskuara nga trafikantët e drogës po kthehen në biblioteka të lëvizshme.
Ditën e sotme, në Shkodër u zhvillua ceremonia e dorëzimit të makinës së transformuar tashmë në bibliotekë të lëvizshme.
Republika Federale e Gjermanisë përmes GIZ-së po mbështet qeverinë shqiptare në luftën kundër flukseve të paligjshme financiare, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës në zona veçanërisht të prekura.
Ripërdorimi i aseteve të konfiskuara për qëllime sociale, po kryhet në bashkëpunim të ngushtë me bashkinë Shkodër, Agjencinë Shqiptare për Administrimin e Pasurive të Konfiskuara dhe Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë.
Biblioteka e lëvizshme është krijuar për të përmirësuar qasjen në arsim në komunitetet e thella. Përzgjedhja e librave bëhet në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit Parauniversitar të Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë. Kjo siguron që biblioteka e lëvizshme të përmbajë libra që janë pjesë e programit të leximit të shkollave./atsh/KultPlus.com