Maksut Vesgizhi solli në GKK copëza të realitetit shqiptar si formë kritike dhe nostalgjike

5 Shtator, 2018 - 10:47 pm

Alberina Haxhijaj

Galeria Kombëtare e Kosovës ka mirëpritur sonte ekspozitën “Pavilion K”, të artistit Maksut Vesgizhi. Ekspozitë kjo e kuruar nga Matilda Odobashi, shkruan KultPlus.

Në katin e parë të Galerisë Kombëtare të Kosovës sonte kanë zënë vend punimet e Maksut Vesgizhi. Ato u ekspozuan me rastin e hapjes së ekspozitës së tij “Pavilion K”, në Prishtinë. Ekspozitë kjo e cila tërhoqi mjaftë artdashës të cilët vështronin me syrin e tyre kritik këtë ekspozitë.

Të vendosura në fillim të hyrjes qëndronin dy dorashka, ndërsa në mur qëndronin të varura disa rroba, e me të kthyer kokën në anën e djathë mund të gjeni armaturë, dhe thasë të mbushura me sfungjerë, ndoshta një jastëkë ky i ideuar nga artisti.

Pikërisht këto punime vinin në pah edhe multimedialitetin e artistit, diçka që theksoi edhe Drejtoresha e Galerisë Kombëtare, Arta Agani.

Kjo ekspozitë veçanërisht përfaqëson atë drejtim të cilin Galeria Kombëtare e ka marrë gjatë navigimit në rrjedha të artit bashkëkohor me tendencë që të ketë sa më shumë ekspozita interdisiplinare dhe multimediale, që ndërthurin fusha të ndryshme të artit në një identitet”, u shpreh ajo.

Pak më tutje në hapësirën më të madhe të këtij kati të Galerisë, vend kishin zërë edhe disa tulla të vendosura në qese të plastikës, të cilat qëndronin horizontalisht dhe në rend me njëra-tjetrën. E disa hapa larg tyre, sfungjerët me ngjyrë të verdhë, qëndronin afër mureve në dy anët e kësaj hapësirë. Materialet të cilat mund t’i hasim edhe në përditshmërinë tonë e që dëshmojnë se edhe në arkitekturë por edhe në arte vizuale interesimi i Vezgishit është eksperimenti dhe modernia, duke kthyer njëkohësisht vëmendjen kah kërkimi në artin aktual shqiptar.

Ekspozita “Pavilioni K”, mund të konsiderohet edhe një ribashkim artistik në mes të artistin Maksut Vesgizhi dhe kuratores Matilda Odobashi, pasi që ata kanë punuar edhe në të kaluarën së bashku.

“Për mua punimet që po shihni janë si copëza apo pjesëza të realitetit shqiptarë dhe shqip-folës, të cilat mendoj se paraqiten me një formë sa kritike aq edhe nostalgjike. Një kohë që ndoshta ishte por që edhe vazhdon të jetë sot e asaj ditë”, theksoi kuratorja.

Maksut Vezgishi i lindur në Prizren, në vitin 1960, kreu studimet e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës. Ai punoi si asistent në Fakultetin e Arkitekturës, (1993/95). Njëkohësisht punoi si redaktor artistik edhe në gazeta, në shtëpinë botuese ‘Dukagjini’ në Pejë, në Galerinë ‘Dodona’. Pastaj në Teatrin e Qytetit të Prizrenit, si projekt autorial punoi Dramën Vizuele/Skena Alternative;
‘Proporcione Hyjnore’ (1990). Po ashtu në fushën e skenografisë bashkëpunoi me teatrot në Prizren, Prishtinë, Sisak, Lubjanë, Shkup, Bruksel, Elbasan.

“Më 1978, para 40 viteve takova në Prishtinë ambientet e para moderne për të cilat kam nostalgji. Shtëpia e Mallrave, Mensa e Studentëve, Biblioteka. Arkitektura mi përmblodhi artet aktuale sot edhe atëherë”, ishin fjalët që artisti i thekoi në hapje të ekspozitës para se të ftonte të gjithë të pranishmit që të hynin brenda dhe ta vizitonin ekspozitën. Ekspozitë kjo e cila do të qëndrojë e hapur për një muaj në Galerinë Kombëtare të Kosovës./ KultPlus.com

Të ngjajshme