14 Tetor, 2017 - 10:32 am
Arbër Selmani
Një sfond Chroma, apo një pëlhurë e gjelbër që shërben si kromaki dhe mbi të cilën mund të krijohet çdo pamje e mundshme, në fakt edhe me të cilën janë punuar filma të suksesshëm nëpër botë, ka qenë vepra fituese mbrëmë në ekspozitën ‘Çmimi Gjon Mili 2017’.
Dardan Zhegrova, artisti fitues, e ka titulluar punën “E dija se një ditë do të bëhesha kërcimtar”. Siç thotë edhe koncepti i veprës, nuk ka asnjë kontribut personal a përpjekje nga ana e artistit, pos bashkëngjitjes ndaj veprës të stendës muzikore dhe filmave Fuji. Audienca parakalon, dhe momentin humb shumë shpejtë, në veprën e vendosur në katin e dytë të Galerisë Kombëtare të Kosovës, në formën e skulpturës dhe skenës e cila të jep formën që ajo vetë dëshiron.
“E dija se një ditë do të bëhesha kërcimtar” u shpall mbrëmë unanimisht fituese e këtij edicioni. Zhegrova, një djalë i ri nga Prishtina, la pas 17-të artistë të tjerë që këtë vit erdhën në ekspozitën prestigjioze nën konceptin “Hiperimazhi – Imazhet brenda dhe jashtë ekraneve tona”.
Zhegrova, në emocionin e fitores, thotë se kjo është puna në të cilën ai ndoshta ka dhënë më së paku mund.
“Ideja e punës sime nënkupton faktin që sot asgjë nuk qëndron, me mijëra fotografi shkrepen në sekondë, plus që çdoherë e më shumë kamerën po e kthejmë kah vetja dhe kjo tregon pasqyrën e vetës sonë. Polaroidëve në vepër ia kam bashkangjitur edhe pasqyrën, për të treguar se si secili prej nesh e manipulojmë lehtë realitetin tonë” tregon Zhegrova, shkruan KultPlus.
“Edhe vetë titulli i punës tregon se ti mundesh me e manipulu atë çka je, çka dëshiron me u bo, dhe je dirigjent i vetes dhe i këtij manipulimi. Faleminderit për çmimin dhe shpresoj që artistët në të ardhmen do të përkrahen më shumë. Për mua ishte kënaqësi të ekspozojë në Galerinë Kombëtare të Kosovës” vazhdon Zhegrova për KultPlus.
Punët tjera janë jo më pak të fuqishme. Vajzat e kolektivit HAVEIT janë në dy katet e Galerisë duke shitur fara, mbështjellë me fotografitë e punëve të tyre të mëhershme. Claudia Sola, në katër ekrane të ndara, sjellë kaosin dhe mundësinë e dhënies formë të tij, pa e shkatërruar.
Kushtrim Asllani ka prodhuar një letër tapicerie prej dyshemesë deri në tavan të shtypur me një imazh të përbërë të një babai që i kreh flokët vashës së tij, ndërsa ajo shikon televizorin në murin përballë dhomës. Oskar Schmidt – artist gjerman, në katin e parë sjellë dy fotografi të mëdha, mbi estetikën dhe të bukurën e secilës ditë. Ai e miraton estetikën dhe retorikën e fotografisë së përditshme dhe e përkthen si një deklaratë artistike, ndoshta edhe me anë të buzëve të një vajze.
Kuratori Alfredo Cramerotti, i privilegjuar që i është besuar ky rol në edicionin e 15-të të “Gjon Milit” ka treguar në hapjen të ekspozitës se është punuar shumë që ekspozita të marrë këtë formë.
“Titulli i ekspozitës – “Hiperimazhi”, është një term i sajuar për të treguar se si qarkullojnë fotografitë, se si ne i bëjmë ato të qarkullojnë por edhe se si ato e plotësojnë botën tonë. Sonte, në këtë ekspozitë ku bashkohen artistët ndërkombëtarë e vendorë brenda një koncepti të vetëm, fotografia vjen në formën e zërit, objekteve, performancës, numrit, pra në një formë të zgjeruar dhe në të gjitha aspektet e zhvillimit të saj” tregon kuratori Cramerotti.
Ekspozita në fjalë do të qëndrojë e hapur për 1 muaj.
Zhegrova, artisti fitues i natës, i çmimit prestigjioz që ka vlerën prej 1 mijë eurosh, është artist nga Prishtina i cili me hapa të shpejtë po ngjitet në nivelin e artistëve më të mirë në Kosovë, të gjeneratës së re e të frytshme. Zhegrova javën tjetër do të ekspozojë në Paris, ndërsa kohë më parë bashkë me Lola Sylajn ishte fitues i çmimit “Artistët e së nesërmes”. / KultPlus.com