28 Qershor, 2019 - 6:30 pm
Rreth 400 animacione janë pjesë e ekspozitës “Mapping of the Obscurity” në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës. Kjo ekspozitë ka sintetizuar formën e artit të animacionit me atë tradicionale.
Në muret e Lapidariumit, të hënën, kanë reflektuar tre projektorë të cilët shfaqin edhe videoinstalacionin kryesor të kësaj ekspozite të ndarë në tre sektorë. Në murin në të majtë të hyrjes janë vendosur gjashtë korniza, pikturat brenda këtyre kornizave janë digjitale, ndërsa në anën e majtë është e kundërta. Kornizat digjitale, pastaj pikturat. Muri përballë hyrjes është i gjithi digjital. Edhe kornizat, edhe arti që shfaqej brenda tyre. Sipas, Benart Shalës, dizajnues i kësaj ekspozite, një prezantim i tillë është bërë për të dëshmuar që gjërat e njëjta përjetohen ndryshe varësisht prej mënyrës se si ato prezantohen.
“Ideja është që diçka përjetohet ndryshe, kur prezantohet si e projektuar dhe jo e vizatuar fizikisht”, ka thënë ai.
Në këto videoinstalacione shfaqen pamje të ndryshme, duke filluar me format tradicionale të artit të profesorit Ferid Morina e deri në ato abstrakte, duke përfshirë edhe kuptimin arkitekturor. Shala ka thënë se përmes kësaj ekspozite ka dalë edhe nga profesioni i tij, duke thyer barrierat.
Në fakt e gjithë ekspozita është për të dalë përtej barrierave. Pjesë e ekspozitës ishin edhe disa televizorë të vjetër, tek të cilët në anglisht shkruhej: “A e kemi sjellë gjuhën e komunikimit të teknologjisë dhe artit në të tashmen, si fazë fillestare e së ardhmes apo kemi shkuar më mbrapa”.
“Ekspozita ka qëndruar e hapur vetëm gjatë së hënës, nga ora 20:00 deri në 24:00, ndërsa organizatorët kanë fituar të drejtën për ta prezantuar ekspozitën edhe te “Reja” e Fujimotos në Tiranë./koha.net