Mariposa Fa, fotografja e autoportreteve që përjetëson figurën e gruas përmes dhimbjes, trishtimit e nostalgjisë

31 Dhjetor, 2020 - 8:58 pm

Xhemile Hysenaj

Autoportrete, korba, lule e portrete, janë këto personazhet e fotografisë së Mariposës. Mjafton një shkrepje përmes së cilës fotografja përjetëson dhimbjen, lumturinë, nostalgjinë e trishtimin. Ajo tash e pesë vite ka krijuar një lidhje tejet të ngushtë me artin e fotografisë që tashmë është bërë një me të. Ngjyrat, imazhet e mesazhet që ajo shfaq në fotografinë e saj shkojnë përtej gjithçkaje. Një artiste e rrallë dhe tejet e veçantë në fushën e fotografisë. Ajo për herë të parë për KultPlus, ka rrëfyer për raportin e saj me artin, fotografinë, artistin në përgjithësi dhe figurën e gruas në artin e saj.

KultPlus: Na tregoni fillimisht për fillet e juaja në artin e fotografisë, kur e keni kuptuar se është fotografi ajo përmes së cilës ju do të shfaqnit artin tuaj?

Ka pesë vite tashmë që shkrepi fotografi në cilësinë e një autodidakteje. Kam kaluar nëpër një periudhë shumë të vështirë shëndetësore dhe ideja t’i ngrijë ato emocione, ishte pikërisht ajo çfarë më duhej në ato momente. Prandaj fotografia për mua mbi të gjitha mbetet terapia më efikase e shpirtit.

KultPlus: Na flisni për një ditë tuajën të zakonshme, cila është rutina juaj si fotografe?

Si fotografe për fat të mirë nuk kam rutinë fare, për shkak se fotot i bëj instiktivisht. Një ditë e zakonshme mundet me pasë një dritë shumë të mirë, prandaj e kam të pamundur të mos e përjetësoj atë dritë-hije të momentit. Poashtu e dua shumë vizatimin, pikturën, reciklimin e rrobave, dhe sinqerisht çdo ditë kam diçka të re për të krijuar.

KultPlus: Çfarë saktësisht i frymëzon shkrepjet e juaja?

Çdo gjë që më jep një ndjesi interesante më frymëzon, mirëpo burimi kryesor i frymezimit tim ka të bëj me gruan dhe pozitën e saj në shoqëri . Për mua kjo temë mbetet më e rëndësishmja në të gjitha aspektet.

KultPlus: Në fotografitë tuaja, ngjyrat që dominojnë janë kryesisht ato të errëta, na flisni ma shumë për lidhshmërinë tuaj si artiste me këto ngjyra?

Unë mendoj se nuk janë ngjyrat ato që janë të errëta mirpo shpesh herë zhanri i imazhit të cilin e paraqes në publik. Fotografitë që i bëj nuk kanë frikë ta shfaqin nostalgjinë, trishtimin, dhimbjen apo edhe përditshmërinë e një gruaje të zakonshme, e pse jo edhe në intimetetin e saj. Ndoshta është e kaluara ime që flet më shumë në atë që krijoj, mirpo jam shumë e lumtur që janë pranuar mirë nga publiku ashtu siç janë.

KultPlus: Ajo çfarë ju bënë më të veçantë juve si fotografe, është fakti se ju vetë jeni protagoniste e fotografive tuaja. Na tregoni pse pikërisht autoportrete dhe sa është e vështirë një realizim aq profesional i tyre?

Autoportreti më jep përgjegjësi të madhe për mesazhet që dua ti përçoj. Është një fije shumë e hollë në mes asaj se çfarë fotografoj dhe asaj çfarë jetoj në përditshmëri. Fillimi ka qenë shumë më i vështirë sepse paragjykimet ishin shumë prezente. Ka pasur momente që ky presion më ka bërë të dyshoj në punën që bëja. Falë përkrahjes dhe shtytjes që më kanë dhënë shumë fotografë, sot, më e vendosur se kurrë më parë, vazhdoj të jem pranishme në botën e artit të shkrepjes.

Pastaj është edhe nga ana shpirtërore që autoportreti më ka mësuar ta jetoj një lloj ‘Autoportreti’, ma dhuron lirinë të cilën e jetoj duke u shfaqur ashtu si jam. Njëkohësisht i zhveshi edhe ata që percjellin punën time duke i pranuar ashtu siç janë. Për mua kjo është magjia e fotografisë!

KultPlus: Përpos autoportreteve, çfarë preferoni më shumë të fotografoni?

Fotografoj çdo gjë që ma ngacmon syrin, apo më mirë të them, e ngacmon mënyrën se si i shoh unë gjërat. Për shembull i dua shumë korbat, portretet apo lulet. Çdo gjë që ekziston në rrethin ku jemi, mund ta kete formën e duhur për të mbetur në një imazh.

KultPlus: Ky vit ka bërë që shumë artistë të inspirohen nga situata aktuale, duke e kthyer këtë inspirim në krijimtari. Si po e përjetoni ju si artiste këtë periudhë dhe sa ka ndikuar situata pandemike në artin tuaj?

Sigurisht që ky vit ishte i rëndë për të gjithë, mirpo inspirimi për të bërë foto nuk ka munguar. Në gusht u hap ekspozita ime e parë personale ” NGA PLANETI GRUA” në Galerinë ODA në Shkodër, ku kuratore dhe nikoqire ishte fotografja e njohur Rozafa Shpuza. U prit shumë mirë nga publiku dhe kisha shumë kritika pozitive sa i përket punës. Në të vërtete nuk e kam pritur se do të ketë aq shumë visiztorë, për shkak të pandemise. Ishte një befasi shumë e këndshme. Shpresoj që viti i ardhshëm të sjellë një situate më të qetë dhe sigurisht që do të ketë evente tjera.

KultPlus: Arti konsiderohet të jetë mjeti më i mirë për të shpalosur brendësinë e një artisti. Çfarë saktësisht tentoni të përçoni ju përmes fotografisë?

Mundohem të zbuloj para publikut dicka të sinqertë e të thjeshtë. Besoj që është mënyra më e lehtë që dikush ta shoh vetën në këto fotografi dhe të identifikohet në to. Mundohem të jem gjithmonë autentike, dhe shpresoj të jem në atë rrugë. Ska gjë më të bukur sesa kur të njihet puna nga njerëzit që kanë përvojë të gjatë në këtë drejtim. Dhe ska gjë më të çmuar kur merr mesazhe nga njerëzit që kalojnë momente të vështira dhe më falënderojnë që nga një imazh imi, kuptojnë që nuk janë vetëm.

-Një grua më shkroi një ditë, pasi që kishte pa një foto timen, dhe me tha: Kam imputim në dy këmbët, dhe duke pa këtë foto, më bëri të mos ndihem aq e vetme, të faleminderit shumë. Ky mesazh më ka prekur shumë.

KultPlus: Cili mendoni se është roli i artistit në shoqëri?

Artistët dhe krijimtarët e çdo fushe, e kanë rolin kryesor në shoqëri. Vetëm përkushtimi dhe puna e tyre e mirëfilltë, arrijnë ta hapin mendësinë e një populli.

KultPlus: Si e shihni figurën e gruas në art, e kryesisht në artin e fotografisë?

Gruaja jo vetëm që është inspirimi kryesorë për kryeveprat e mëdha në historinë e artit, por është edhe krijuese po aq e rëndësishme në të gjitha sferat e jetës. Mendoj që shumë fotografe kanë lënë gjurmë dhe vazhdojnë me plot kreativitet dhe cilësi ta pasurojnë artin e tetë. / KultPlus.com

Të ngjajshme