19 Korrik, 2019 - 11:54 pm
Piktura që përjetësoi historinë
Në pamje të parë kjo tablo të krijon një impakt drithërues të asaj ndeshjeje epike, e cila edhe pse e krijuar pothuajse nga asgjëja, ka arritur të vendosë bazat e forta të një dëshmimi historik, të një momenti kapërcyell, ku ajo që triumfon është forca e kurajës dhe vetëmohimit të një gruaje, të një martireje në atë që ajo beson.
Tabloja kompozicionale, “Maro Konda”, e realizuar nga piktori dhe ilustruesi korçar Lazar Taçi, në fund të viteve ’80-të, është një prej atyre përfytyrimeve krijuese, të cilat rreken të shpërfaqin përmes imazhit, shprehshmërisë artistike, një etapë të caktuar, një moment historik që koha dhe kujtesa, gati sa nuk e kishin shpërbëtë tërësisht.
E parë në një rrafsh estetik, “Maro Konda”, dallon për dinamizëm dhe shprehi të theksuar të aktit të trimërisë së gruas labe, në përleshje të pabarabartë me jeniçerët osman. Është një ndeshje finale në një akt sublim sakrifikimi. Sytë e shastisur të jeniçerit në përpjekjen e dështuar nga ky sulm vetëvrasës i Maros, piktori i ka përcjellë me tone dramatike. Ai vrull në tatpjetën e pjerrët të humbëtirës të kësaj zemërluaneshe është një fokus që artisti e ka plazmuar me një tërësi komponentësh rrëfyes. Gati gati ajo i ngjet një shqiponje e cila vërsulet përbindëshit që rrezikon të vegjlit e saj. Hidhet furishëm mbi kërcënimin si mbi vdekjen që e përjetësoi akti.
Fillesa e veprës vjen nga një revistë e kohës, ku i kërkohet të bërë ilustrimin e një tregimi.
“Në atë kohë punoja tek revista “Pionieri”, kujton krijuesi, jo vetëm për këtë figurë, për të gjithë figurat e mesjetës, por edhe për figurat e nacionalçlirimtare, shumë prej tyre detyroheshim t’i sajonim, sepse nuk ekzistonte materiali fotografik. Nuk kishte asnjë të dhënë vizuale mbi heroinën dhe e gjitha gjithë figura e saj është fantazi e piktorit. Dihej se ishte nuse nga fshati Fterë, shprehet piktori. U mundova të gjeja nëpër enciklopedi të ndryshme veshjet turke të asaj kohe. Personazhi është Maro Konda, trime labe. Jetoi në fillim të shekullit XVI. U martua në Çorraj. Në vitin 1537, në mbrojtje të luftëtarëve çorrjotë, sakrifikoi veten duke hedhur në greminë një numër jeniçerësh turq, së bashku me veten e saj. Ngjarja zhvillohet në Çorraj të Labërisë, ku në shekullin XVI u dyndën taboret osmane për ndëshkim. Burrat u fshehën nëpër shpella, maleve përreth. Osmanet zunë burimet e ujit. Një ditë aty u pa Maro Konda, që donte t’u dërgonte ujë burrave. Pamundësia për ta përmbushur misionin e gruas, nuk mund të gjunjëzonte zemrën e saj, e cila do të hidhej në një përleshje epike, në një vërshim të përbindshëm. Dhe në këto rrethana të sendërtuara dhe të mëtuara në trajtën e një krijimi, lindi Maro Konda. Erdhi prej atje ku shkrepat ruanin ende në kujtese atë vërshim të pandalshwm drejt lartwsimi nw heroizwm. Nëpërmet kësaj nuk u lindi vetëm ajo grua e rrallë për nga trimëria dhe guximi, për nga sublimja e sakrificës, u end për të mos u shuar kurrë ,ajo ngjarje, ato regëtima jo shumë të qarta, por të vërteta, që kishin mundur të mbërrinin deri në thellësi të kohës, si në një përpjekje për të sfiduar mbi asgjësimin.
Bëmen e kësaj historie populli e përjetësuar në vargje, në ato vargje, të cilat janë thelbi i gjithë asaj historie, i atij akti të pashoq të trimëreshës, i asaj gruaje sakrifikuese. Gojë më gojë, e brez më brez mbërriti deri në mosharrim ajo shkrepëtimë e vetëtimshme e shembullit që gjunjëzon çdo përfytyrim dhe lartëson çdo epje krijuese.
Populli i këndoi:
“Bijë Fterre, nuse Çorre,
Djalin më të mirë more,
Po ç’e do, nuk e gëzove,
Nga shkëminjtë u lëshove,
Turqitë prapa ç’i more,
S’more një, po di taborre…”
Lazar Taçin ia ka dalë që faktin historik, për të cilin nuk kishte njohje fare apo thjesht një vizion të vakët, ta shndërrojë në fakt artistik, duke dhënë një kompozim me vlerë. Në një farë kuptimi kompozimi kthehet në një lloj indentikiti shprehës i ndodhisë, duke të bindur vizualisht për vërtetësinë e saj.
Cili është Lazar Taçi?
Lazar Taçi u lind në qytetin e Korçës në vitin 1942 në një familje të kthyer në vitin 1938 nga një migrim i gjatë në Odessa, Rusi. Në vitet 1954-1960, Taçi ka studiuar në Shkollën e Arteve të Tiranës, ndërsa në vitet 1961-1966 zhvillon studime në Akademinë e Arteve në Tiranë. Duke punuar fillimisht si mësues vizatimi, pas arrestimit të nënës së tij, për arsye politike, për një periudhë prej 12 vjetësh (1967-1979) janë privuar nga mundësia për të marrë pjesë në aktivitetet e artistike të vendit, dhe kjo e detyroi atë të kushtonte ilustrimit. Rezultati i shumë viteve në këtë zhanër janë qindra ilustrime të revistave të fëmijëve dhe të rriturve, dhjetëra libra. Në vitin 2000 u zgjodh për IBBYl Honor List. Pjesëmarrës katër herë në Bienalen në Bratislavë BIB (1997, 1999, 2001, 2003). Krijuesi i shtatë filatelive 1990-2007.
Sfida krijuese e Lazar Taçit, natyrisht që nuk u përfaqësua vetëm me punën “Maro Konda”. Ai ka një galeri të pasur punësh, ku spikat një lloj uniteti dhe veçantie krijuese. Si peizazhet ashtu edhe personazhet që la në galerinë e tij, janë punë që pasurojnë njohjen tonë me këtë artisti. Nga punët e tij mund të kujtojmë; “Dëshmorët e ambasadës” 1951, “Qyteti i bekuar i Krujës”, “Vjeshtë e vonë në Gjirokastër”, “Marina”, “Mulliri i vjetër në Drenovë”, “Edith Durham, një mike e shqiptarëve”, “Voskopoja” 2007, “Rebelimi në ferr”, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, “Hetimi”-triptik, “Apassionata”, etj. Personazhet historike, episodet dhe ngjarjet, shquhen për një vërtetësi dhe gjallëri, për dinamizëm dhe shprehi koloristike. Peizazhet karakterizohen nga një shtirje e qëllimtë për të përmbushur sa më me plotësi atë çfarë ai sheh dhe kumton. /Albert Vataj/ KultPlus.com