20 Dhjetor, 2024 - 4:03 pm
Muzeu Marubi dhe “Gallerie d’Italia”, muzeu i Intesa Sanpaolo-s çelin ekspozitën “Eveningside. Gregory Crewdson”, kuruar nga Jean-Charles Vergne.
Gregory Crewdson (1962, Brooklyn, SHBA) është një fotograf i njohur ndërkombëtarisht dhe nga artistët me më shumë ndikim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Karriera artistike e Gregory Crewdson shtrihet në më shume se tre dekada. Metodologjia e tij e punës, me ekipin e ndriçimit, e ngjashme me realizimin e filmave, kërkon të rrëfejë një histori përmes një imazhi të vetëm që bën bashkë gjuhën e fotografisë dhe të kinemasë, me referenca të fushës së filmit, televizionit dhe formave të tjera vizuale.
Ekspozita që vjen në “Marubi”, prezanton vepra nga tre seritë e krijuara midis viteve 2012 dhe 2022. Ekspozita “Eveningside” fillimisht u prezantua në Torino të Italisë, më pas në Francë e Finlandë dhe tashmë mbërriti në Shkodër. Kjo ekspozitë nxit një dialog ndërkombëtar, që merr shkas nga publikimi i imazheve të jashtëzakonshme të Gregory Crewdson.
Projekti i ekspozitës është realizuar falë mbështetjes së Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./ KultPlus.com