16 Janar, 2018 - 8:49 pm
Qendra për Multimedia dhe Art “Kult” në Gostivar po organizon një workshop kushtuar fotografisë.
Është një projekt i financuar nga Ministria e Kulturës, i cili ka bërë bashkë të rinj dhe të reja të pasionuar pas artit të bukur të fotografisë.
Artisti i mirënjohur, fotografi Osman Demiri, i cili po udhëheqë këtë trajnim, shprehet me entuziazëm për talentin, pasionin dhe përkushtimin e këtyre dhjetë të rinjve, që po ndjekin këtë punëtori.
Janë tepër të rralla këto lloj aktivitetesh në qytetin e Gostivarit, ndaj interesimi i të rinjve është i paparë dhe ky fakt i bën ata të shpresojnë se ky aktivitet do të ndiqet edhe nga të tjerë në të ardhmen. Qëllimi i këtij trajnimi është njohja me teknikat e fotografisë, përpunimit dhe llojeve të saj.
Shumica e pjesëmarrësve veç janë të kyçur në botën e fotografisë dhe kjo punëtori do të jetë edhe një shtytje për ta, kurse për fillestarët, një botë e re dhe një mundësi që të komunikojnë përmes imazhit. Në fund të workshopit do të përzgjidhen fotografitë më të mira dhe do të hapet një ekspozitë. / KultPlus.com