Mbahet punëtoria e parë për brendimin e qytetit të Prizrenit

9 Dhjetor, 2017 - 1:33 pm

Më datën 7 dhe 8 dhjetor në Prizren u mbajt punëtoria për realizimin e planit të veprimit mbi brendimin e qytetit të Prizrenit në të cilën morën pjesë profesionistë të fushave të ndryshme në Kosovë.

Autostrada Biennale së bashku me Rrjetin e Organizatave të Kulturës në Prizren (RrOK PZ) realizuan punëtorinë në lidhje me konceptin e brendimit të qytetit. Në këtë rast bëhet fjalë për qytetin e Prizrenit i cili njihet për diversitetin etnik, gjuhësor dhe fetar dhe gjithashtu për pasurinë kulturore të cilat së bashku japin potencial për tu bërë kryeqytet kulturor e shpirtëror i Kosovës.

Në këtë punëtori u prezantuan konceptet e brendimit të qytetit, u diskutua mbi elementet komplekse dhe gjithëpërfshirëse të brendimit të qytetit dhe rrjedhimisht u hartua plani i veprimit të fushës së brendimit i cili do të jetë pjesë e planit të menaxhimit të qendrës historike të Prizrenit.

Ky plan i veprimit ka për qëllim të shërbejë si pikënisje për zhvillimin e mëtutjeshëm të strategjisë së brendimit të qytetit të Prizrenit. Duke qenë se brendimi i qytetit është kompleks dhe shumë-dimensional, kjo punëtori ka mbledhur përfaqësues të fushave të ndryshme profesionale të cilët përveç njoftimit me konceptin e brendimit, kontribuuan në ofrimin e perspektivave të ndryshme dhe mundësuan gjithëpëfshirjen si element të rëndësishëm të konceptit të brendimit të qytetit.

Punëtoria përfshiu prezantime nga Eliza Hoxha, Yll Rugova, Jeton Jagxhiu, Nora Arapi Krasniqi, Berin Hasi dhe Tahar Alemdar. Kjo punëtori u financua nga CHwB Kosova dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. / KultPlus.com

Të ngjajshme