21 Nëntor, 2019 - 8:24 pm
Mbi 12 mijë euro sonte janë mbledhur nga ankandi për të ndihmuar artisten Burbuqe Berisha.
Punët e Blerta Surroit, Lorik Sylejmanit, Zake Prelvukajt, Arlinda Hajrullahut, Eliza Hoxhës, Ismet Jonuzit e artistëve tjerë kanë dalë në ankand, ndërsa janë shitur me çmimin fillestar 250 euro.
Dy punë artistike janë shitur në shumën rekorde prej 1 mijë dhe 1 mijë e 50 euro, ndërsa mbi 12 mijë euro është shuma totale e mbledhur në ankandin sonte.
Ankandi u mbajt në Menzën Ramiz Sadiku, si një nismë e një grupi artistësh për të ndihmuar Burbuqe Berishën e cila së fundmi ka problem shëndetësore, shkruan KultPlus.
Zake Prelvukaj ka qenë iniciatorja e grupit për të organizuar këtë ankand shitës ku u panë edhe Memli Kelmendi, Abelard Tahiri, Eliza Hoxha, Adriatik Kelmendi, Xheraldina Vula, Afërdita Saraçini e personalitete tjera që ndihmuan duke blerë punët artistike.
Burbuqe Berisha studimet themelore dhe master i ka përfunduar në Fakultetin e Arteve, dega Regji e Filmit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në Prishtinë.
Ka krijuar një numër të konsiderueshëm të filmave me metrazh të shkurtër, si dhe dokumentarë, seriale televizive, shfaqje teatrore dhe është fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter ndërkombëtar.
Për një vit e gjysmë ka punuar si menaxhere në Kino ABC në Prishtinë, për katër vite si producente në KosovaFilm, po ashtu për katër vite me radhë si drejtoreshë e Përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si dhe të Ansamblit “Shota”. Në shumë festivale filmash ka qenë anëtare e jurive profesionale me karakter ndërkombëtar.
Aktualisht është u.d. dekane e Fakultetit të Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë në Kolegjin AAB, drejtoreshë e AAB Teatrit “Faruk Begolli”, si dhe anëtare e Këshillit Drejtues të Teatrit Profesionist të Gjakovës. / KultPlus.com