Mbrëmë u hap ekspozita “Bienalja Ndërkombëtare e Vizatimit” në Kosovë, çmimi i parë u dha për Jakup Ferrin dhe Crtomir Frelih

26 Qershor, 2020 - 11:27 am

Qendrim Badalli


“Kushdo që hynë në Galeri duhet ta ketë maskën e vendosur”. Kështu tha Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani. Kjo fjali shpreh më së miri gjendjen aktuale jo vetëm të artit në Kosovë. Në njërën anë tregon se Galeria tashmë është e hapur, në anën tjetër tregon se akoma kemi rrethana jo të zakonshme, shkruan KultPlus.

Kështu, në rrethana pandemie, mbrëmë u hap ekspozita “Bienalja Ndërkombëtare e Vizatimit”, e cila është e para që pas mbylljes së këtij institucioni si shkak i pandemisë si dhe është e para edhe për nga karakteri i organizimit, meqë më parë nuk kemi pasur organizim të Bienaleve të këtij lloji. Çmimi i parë u nda për dy persona, për Jakup Ferrin dhe Crtomir Frelih, ndërsa “Çmimi i Miqve” u dha për Adem Rusinovcin.

Në ekspozitën “Bienalja Ndërkombëtare e Vizatimit” 2020, kishim pjesëmarrës nga vendi dhe nga jashtë vendit dhe ata ishin: Adem Rusinovci, Agim Salihu, Agron Mulliqi, Ake Bergvist, Alban Meka, Bedri Emra, Blagoje Minevski, Bujar Lahu, Crtomir Frehli, David Skerlj, Donika Makolli, Dzeko Hodzic, Elise Jarem, Fehmi Huskovic, Fuad Islami, Gani Bajraktari, Gani Llalloshi, Haki Xhakli, Haxhi Kastrati, Helidon Haliti, Isa Alimusaj, Ismet Jonuzi, Jakup Ferri, Jovanka Veit Berg, Kamuran Goranci, Luan Mulliqi, Majlinda Kelmendi, Mal Myrtaj, Matic Lorena, Mentor Avdili, Musa Prelvukaj, Naim Spahiu, Nehat Beqiri, Nimon Lokaj, Ormira Lulani, Paofol Ferluga, Rafet Jonuzi, Remus Wilson, Shaip Citaku, Shkuran Zaim, Shyqri Gjurkaj, Stefan Glettiler, Teoman Ziam, Tomislav Trific, Vehbi Murati, Visar Mulliqi, Yllka Fetahaj, Zake Prelvukaj si dhe Zymer Mulliqi.

Juria Ndërkombëtare Vlerësues për ndarjen e çmimeve është përbërë nga Ales Sedmak, Abaz Hando si dhe Mehmet Behluli, ndërsa Komisionin për Përzgjedhjen e Artistëve nga Kosova e kanë përbërë: Faik Krasniqi, Valbona Rexhepi si dhe Genc Rezniqi.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani, tha se shpreson se ky fillim është  “Me këmbë të mbarë”.

“Kjo është ekspozita e parë pas izolimit dhe kemi nisur me shumë vullnet dhe entuziazëm duke shpresuar se do të vazhdojmë me këmbë të mbarë, dhe këtë e filluam me ekspozitën “Bienalja Ndërkombëtare e Vizatimit” organizuar nga Asociacioni i Artistëve Vizuel të Kosovës dhe përkrahur nga ne”.

Tutje, Agani foli për përkrahjen që Galeria ia ka bërë Asociacionit Vizuel të Kosovës.

“Dua të them se Asociacionin e Artistëve Vizuel të Kosovës e kemi përkrahur fillimisht kur e kanë themeluar këtë asociacion duke ia ofruar hapësirat tona, por edhe për ekspozitat të cilat shpresoj se kjo është vetëm e para, në bashkëpunim me ne”.

Artisti dhe përfaqësuesi i Asociacionit të Artistëve Vizuel të Kosovës, Kamuran Goranci, tregoi se kjo ekspozitë po realizohet për herë të parë në vend.

“Është e vërtetë që Galeria ka qenë gjithmonë përkrahëse e asociacionit që nga themelimi. E kemi thënë edhe në media që gjatë këtij organizimi  kanë ofruar një gatishmëri dhe kanë dhënë cdo gjë pa rezervë që të realizohet sa më mirë kjo ekspozitë meqë kjo po organizohet për herë të parë në Kosovë”.

Teksa premtoi se do të jetë organizim tradicional, Goranci, foli pak për përzgjedhjen e punimeve në këtë ekspozitë.

“Kjo ekspozitë do të jetë tradicionale në të ardhmen, që do të mbahet çdo dy vjet, unë dua të përshëndes këtu bashkëpunëtorët nga jashtë të cilët na kanë bërë të mundur që ti zgjedhim artistët nga jashtë pasi që kësaj radhe nuk kemi shkuar me kurator të përzgjedhur ndërsa nga brenda përzgjedhjen e kemi bërë me anë të një konkursi”.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, përshëndeti këtë organizim.

“Është kënaqësi që ka këso nismash, si kjo Bienalja e parë Ndërkombëtare e Vizatimit, unë ju uroj cdo të mirë të gjithë artistëve, vërtetë kemi kaluar në një kohë pandemie por uroj që pikturat dhe vizatimet tuaja të jenë plotë optimizëm”.

Dumoshi, uroj kthim në normalitet të plotë teksa premtoi mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për artistët.

“Uroj që sa më shpejtë të fillojmë me një jetë normale, uroj që çdo punë e artistëve të vlerësohet dhe që edhe kjo nisëm të shkojë sa më mbarë. Ne premtojmë mbështetjen e Ministrisë për këtë organizim”.

Me nga një gotë verë, me dorzat në duar e maska në fytyrë mbrëmja vazhdoi tutje ku të pranishmit kishin mundësi t’i shikonin nga afër punimet në këtë ekspozitë. Kjo ekspozitë e hapur mbrëmë do të qëndroj e hapur për publikun deri me 15 Korrik. / KultPlus.com

Të ngjajshme