Mbyllet pas rreth 18 vitesh konkursi ndërkombëtar i artit pamor “Onufri”

25 Dhjetor, 2018 - 10:00 am


Konkursi ndërkombëtar i arteve pamore Onufri, nuk do të jetë më. Galeria Kombëtare ka vendosur ta mbyllë në kuadër të rikonceptimit të rolit të galerisë.

“Në kuadër të dinamikave në të cilat zhvillohen shkëmbimet artistiko-kulturore ndërkombëtare sot, dhe si pasojë e problematikave që janë shfaqur ndër vite me Ekspozitën Ndërkombëtare të Arteve Pamore “Onufri”, aktivitet ky që ka patur mision primar realizimin e këtij shkëmbimi në Shqipëri, Galeria Kombëtare e Arteve ka vendosur në mbylljen e “Onufrit” dhe rikonceptimin e programit të saj të përgjithshëm artistik”, thuhet në deklaratën për shtyp të Galerisë.

“Onufri” u krijua në fund të viteve ‘90-të si një domosdoshmëri e kohës, që do të mundësonte shkëmbimet mes artistëve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë, si dhe për të prezantuar artin e ri bashkëkohor të skenës vendase në kushtet e mungesës së plotë të institucioneve apo iniciativave të pavarura. Për këtë arsye, për vite me rradhë “Onufri” mbajti peshën kryesore të shkëmbimit kulturor ndërkombëtar në artet pamore, duke i dhënë kështu një shtysë edhe metodave të reja të punës dhe praktikave artistike. Me kalimin e viteve skena është pasuruar edhe me një numër në rritje iniciativash të pavarura që gjithmonë e më shumë kanë për qëllim shkëmbimin mes artistëve vendas dhe atyre ndërkombëtarë.

“Nga ana tjetër, shumë edicione të “Onufrit” nuk kanë pasur nivelin e duhur të organizimit për t’i prezantuar denjësisht artistët. Bashkëveprimi midis artistëve shqiptarë dhe të huaj në kuadër të këtyre edicioneve ka qenë pothuajse fiktiv, pasi shumë nga artistët e huaj pjesëmarrës të “Onufrit” nuk kanë qenë të pranishëm gjatë ditëve të organizimit të ekspozitës. Gjithashtu, në të shumtat e rasteve është aplikuar një qasje e padrejtë ndaj artistëve shqiptarë të cilët duhet të kalonin fazën e përzgjedhjes, kundrejt artistëve të huaj që ftoheshin direkt nga kuratori. Për rrjedhojë edhe interesi i publikut ndaj kësaj ekspozite si dhe vet vlera e këtij aktiviteti janë zbehur me kohë”, thuhet në deklaratë. Ky aktivitet që fillimisht lindi si një nevojë për të rritur ndërveprimin mes skenës vendase dhe asaj ndërkombëtare vlerësohet se tashmë e ka përmbushur misionin e tij.

Zhvillimi i situatës artistike në vendin tonë, por edhe zhvillimet më të fundit të artit bashkëkohor në përgjithësi, nuk përkojnë më me formën e organizimit dhe strukturën që “Onufri” ka ndjekur gjatë viteve. Anëtarët e Bordit Artistik dhe drejtori i GKA-së z. Erzen Shkololli kanë ndarë mendimin se GKA ka nevojë për një formatim dhe një qasje të re pune që do të jetë në hap me zhvillimet e reja në artin bashkëkohor dhe që reflektojnë ndryshimet thelbësore socio-politike në Shqipëri, rajon e më gjerë. GKA duhet të zhvilloj veprimtaritë e saj të rradhës të cilat prezantojnë sa më mirë artistët në ekspozita ndërkombëtare tematike e të kuruara, dhe që vijnë si rezultat i një pune të pasur kërkimore. Ky rikonceptim i programit artistik synon që ta kthejë Galerinë në një platformë të rëndësishme për shkëmbimin kulturor në nivel ndërkombëtar.

Bordi Artistik i Galerisë Kombëtare të Arteve përbëhet nga 7 anëtarë, si më poshtë vijon: Eleni Laperi (Kryetare), Edi Muka, Ornela Vorpsi, Zef Paci, Luçjan Bedeni, Sofjan Jaupaj, Xhoana Agolli. Anëtarët e këtij Bordi ranë dakort për mbylljen e “Onufrit” gjatë mbledhjes së tyre më datë 11.12.2018, me Vendim nr. 308/2. Ministria e Kulturës shprehu dakordësinë e saj mbi këtë vendim, në respektim të pavarësisë së gjykimit të Bordit Artistik të Galerisë Kombëtare e Arteve. /gazeta-Shqip.com / KultPlus.com

Të ngjajshme