29 Nëntor, 2018 - 6:47 pm
Dhjetori në Qendrën e Informimit dhe Kulturës së Bashkimit Evropian i dedikohet promovimit të punës së gruas kosovare në diplomaci kulturore dhe art me moton ‘Gratë e Kosovës në promovimin e artit dhe kulturës’.
Disa aktivitete do të zënë vend në këtë Qendër për të festuar gruan kosovare dhe suksesin e saj.
Me datë 3 dhjetor do të hapet ekspozita ‘Klithma e heshtjes së gruas’. Mjellma Goranci dhe Shqipe Kastrati, dy artiste të njohura në fushën e artit pamor në Kosovë, do të prezantojnë punën e tyre në dy mediume: pikturë dhe skulpturë. Pikturat e Mjellmës fokusohen në shpalosjen e bukurisë së gruas me anë të ngjyrave më dinamike dhe të ndezura, ndërsa Shqipja përdorë gruan dhe rrobat e saj tradicionale në skulpturat e saj. Puna e saj momentalisht po rrugëton nëpër botë ndërsa portretet e saj po përdoren për të promovuar brendin e njohur të syzeve nga kosovarja Laura Imami.
Me datë 4 dhjetor, në EUICC do të ketë shfaqje të filmit ‘Ajo’ nga More Raça dhe do të pasojë biseda me regjisoren. More Raça është një prej regjisoreve të reja më premtuese në vend, filmi i së cilës aktualisht është përzgjedhur në selektimin e parë të mundur për tu nominuar në kategorinë e filmave të shkurtër në ceremoninë The Oscars. Filmi i saj debutues “Ajo” është shfaqur suksesshëm në disa festivale. Pas shfaqjes së filmit do të pasojë një diskutim me regjisoren Raça.
Me 5 dhjetor vjen paneli i diskutimit. Ky panel do të përqendrohet në gratë lidere në art dhe kulturë në Kosovë, të cilat po i udhëheqin disa prej institucioneve të pavarura kulturore më të rëndësishme në Kosovë, dhe kësisoj po ndihmojnë në diplomacionë kulturore. Në panel do të jenë Besa Luzha – Drejtoreshë e Festivalit ‘Chopin Music Festival’, Nita Deda – Drejtoreshë e Festivalit ‘Dokufest’, Zana Krasniqi – Drejtoreshë e Festivalit Femart, Donika Rudi – Drejtoreshë e Fesrtivalit Remusica, Vjosa Berisha – Drejtoreshë e Festivalit PriFest dhe Arta Bunjaku – Drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com