Me ekspozitë, shfaqje e muzikë, URACult solli një mbrëmje kulturore me frymë shqipe në Köln

1 Tetor, 2019 - 3:00 pm

Një program të larmishëm kishte përgatitur shoqata kulturore URACult në organizimin “URACult Teatri 2019 – Arti dhe Kultura buzë Ibrit” që mblodhi në Köln një numër të mirë mysafirësh nga të gjitha anët e Gjermanisë.

Mbrëmja filloi me hapjen e ekspozitës “URA” të Kushtrim Istrefit. Artisti i ri mitrovicas prezantoi një pjesë të punimeve të tij me vizatime të 13 urave shqiptare. Profesor Hajrush Fazliu i cili e hapi ekspozitën, vlerësoi lart punën e studentit të tij duke parashikuar një të ardhme të ndritshme artistike për të. Edhe publiku priti jashtëzakonisht mirë këtë ekspozitë të veçantë dhe gjatë gjithë mbrëmjes u zhvilluan biseda të shumta me artistin mitrovicas.

Me dramën “Komedi e kuqe”, të autores Albana Muja e në regji të Kreshnike Osmanit, aktorët e teatrit „Muharrem Qena“ nga Mitrovica i sollën publikut shqiptaro-gjerman në skenë jetën e një çifti shqiptar diku në Gjermani. Drama trajton dukurinë shumë të përhapur të ”martesave me pagesë për letra”.

Paraqitja e shkëlqyeshme e aktoreve Xhejlane Tërbunja dhe Njomza Tmava si dha aktorëve Mehmet Pretei dhe Fisnik Istrefi u shpërblye nga publiku me duartrokitje të gjata

Aktorët Fisnik Istrefi (vargje nga „Lahuta e malësisë”) si dhe aktori Eshref Durmishi (Hymni i Skënderbeut) i cili ishte mysafir i këtij organizimi, me paraqitjet e tyre spontane në skenë pasuruan këtë mbrëmje ashtu kështu të pasur artistike.

Pjesën muzikore të mbrëmjes e mbuloi Arbër Krasniqi i cili kishte përgatitur një program muzikor me këngë të përzgjedhura shqiptare dekadash të ndryshme. Me performancën e tij ai ngriti publikun në këmbë disa herë por edhe publiku në asnjë këngë nuk e la atë vetëm dhe kështu çdo këngë u këndua bashkë.

Që mbrëmjet si kjo mungojnë në Gjermani tregon edhe fakti se shumë mysafirë kishin bërë rrugë të gjatë nga qytetet tjera për të qenë të pranishëm në mbrëmjen që i dedikohej Mitrovicës dhe skenës së saj artistike. Përkundër kushteve të vështira në të cilat ata punojnë, aktivitetet e tyre nuk ndalen.

Të nesërmen punimet e Kushtrim Istrefit u prezantuan edhe në Troisdorf dhe ekspozita u vizitua nga një numër i konsiderueshëm i mysafirëve shqiptaro-gjerman.

Në orarin e URACult-it për këtë vit gjinden edhe një mbrëmje vallëzimi me 26 tetor si dhe promovimi në Gjermani i albumit të Rona Nishliut (“MIndil”) me 16 nëntor në Köln. / KultPlus.com

Të ngjajshme