Me ekspozitën “Gjithë lotët tanë”, do të shënohet Dita e të Drejtëve të Njeriut

6 Dhjetor, 2022 - 9:20 am

Qendra Burimore për Persona të Zhdukur dhe Integra po sjellin ekspozitën “Gjithë lotët tanë” për të shënuar 10 dhjetorin, Ditën e të Drejtave të Njeriut, nga ora 10:00, në “Hotel Grand”, në Prishtinë.

Kjo ekspozitë unike u dedikohet rrëfimeve të viktimave të luftërave në rajon dhe ka për qëllim të njoftojë publikun e gjërë me rrëfimet e tyre duke shërbyer kështu edhe si thirrje për përkrahje për viktimat dhe grupet e tjera të prekura, në kërkimin e tyre për të vërtetën dhe drejtësinë.

Ekspozita përbëhet prej 34 fotografive origjinale, të bëra nga fotografët Atdhe Mulla, Arbnora Memeti, Nake Batev dhe Borislav Pesiç. Këto fotografi paraqesin aspekte të luftërave në ish-Jugosllavi – fotografi familjare të të pagjeturve, vende të krimeve, varreza masive, persona të zhvendosur brenda vendit dhe memoriale, por gjithashtu edhe pasojat e stërzgjatura të konflikteve që ndjehen edhe sot, duke treguar tërë tragjedinë dhe kompleksitetin e luftës.

Kjo ekspozitë është pjesë e aksionit “Fuqizimi i zërave gjithëpërfshirës të viktimave, transformimi i narrativave” zbatuar nga Integra, Lëvizja për Paqe PAX, Qendra Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale (ICTJ), Iniciativa e Re Sociale (NSI), Iniciativat Qytetare (CI), dhe Aksioni Paqësor (PA), mbështetur nga Bashkimi Evropian. / KultPlus.com

Të ngjajshme