Me ekspozitën “Gjurmë”, Amire Demolli do të prezantohet në KultPlus Caffe Gallery

28 Shkurt, 2023 - 5:30 pm

Artistja Amire Demolli do të prezantohet për herë të dytë me ekspozitë personale, lkësaj radhe me ekspozitën “Gjurmë” që do të hapet më 1 mars, në KultPlus Caffe Gallery prej orës 19:00.

Amire Demolli do të prezantohet me 12 punime artistike e që për kurator ka Refki Gollopeni.

Vetë kuratori për punën artistike të Amire Demollit ka thënë se me konceptin artistik “Gjurmë”, në pikturat e saj shpalos emocionet dhe temperamentin krijues përmes laramanisë në stile, në shprehje artistike, në qasjet e saj, si realiste, ashtu dhe abstrakte. “Ajo është në mes të një rrugëtimi eksperimental, drejt krijimit te identitetit te saj artistik”, ka vlerësuar mes të tjerash Gollopeni.

“Bota e re universale në qasjen abstrakte është përherë në lëvizje, në kërkim të lindjes së re në univers, duke e pasuruar kështu pikturën imagjinative, që deri tani ishte e pa njohur për ne, por Amire Demolli e konkretizoi imagjinatën dhe ndjesinë e saj në krijimtari duke lënë kështu gjurmë në art e që do të vazhdojnë të jetojnë”, ka shtuar tutje Gollopeni për ekspozitën e radhës së Demollit, e cila përpos që po shënon ekspozitën e saj të dytë personale, ajo deri tash ka marr pjesë edhe në shumë ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit.

Ekspozita “Gjurmë” do të qëndrojë e hapur deri më 7 mars.

Amire Demolli studimet dhe masterin për pikturë i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Arteve, e cila në të njëjtën kohë në po këtë universitet ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë dhe aktualisht është në specializim në Klinikën e Kirurgjisë Plastike Rekonstruktive dhe Estetike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës

Në periudhën prej 5-12 mars do të jetë pjesëmarrëse në World Women’s Arts Forum në Egjipt, ku do ta përfaqësojë Kosovën në mesin e 17 shteteve të ndryshme të botës./ KultPlus.com

Të ngjajshme