8 Nëntor, 2021 - 1:46 pm
Skulptori Eroll Murati ka hapur ditë më parë ekspozitën me titull “Më gjeni”, me fokusin kryesor të të zhdukurve në luftën e fundit të Kosovës, shkruan KultPlus
Me moton “Dikush është ende duke i pritur te dera qe 20 vite”, shfaqen dy skulpturat në sheshin “Skënderbu” në Prishtinë, në të cilën Murati dëshironte të përcillte te publiku dhembshurinë që ai ndjenë në zemrën e tij.
“Frymëzimi erdhi nga zemra që ndjenë dhimbje të madhe për familjarët e të zhdukurve”, ka thënë Murati në një prononcim për KultPlus.
Tutje, ai ka pohuar se do të marrë hapa të mëtutjeshme për të përcjellë siç duhet mesazhin e tij.
“Unë po mendoj që të realizojë edhe ekspozita të tjera, megjithatë fokus kam që të paraqes një ekspozitë në Beograd. E di se një gjë e tillë është e vështirë, por do mundohem vitin e ardhshëm ta bëjë një gjë të tillë nëpërmjet formave më të “ashpërsuara”, tha në vazhdim.
I pyetur në qoftë se dikush nga familjarët e të zhdukurve ka kontaktuar me të, Muarti ka thënë se ende nuk është takuar me ndonjë familjar, por, sipas tij, ai e kupton edhe këtë distancë të tyre, duke pas parasysh se sa të thellë e kanë plagën këto familje.
Ekspozita e skulpturave është e hapur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë e që i dedikohet të zhdukurve nga lufta e Kosovës, e që numërohen 1638 persona./ KultPlus.com