19 Nëntor, 2021 - 6:30 pm
Flonja Haxhaj
Kujtimi për 1622 personat e zhdukur gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë dhe menjëherë pas tij, u bë edhe më i fortë pas hapjes së ekspozitës ‘Më i mirë ish varri sesa mos me ditë’ që u hap të enjten në Atelien e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Ekspozita e realizuar nga artisti Driton Selmani dhe kuratorja, Blerta Hoçia, paraqet të dhënat e 1622 personave që u zhdukën me forcë, u rrëmbyen dhe u ekzekutuan gjatë asaj periudhe, familjarët e të cilëve presin me shpresë edhe sot, më shumë se dy dekada pas luftës.
‘Më i mirë ish varri sesa mos me ditë’ është fragment që organizatorët e ekspozitës e kanë marrë nga biseda me Kumrije Jahmurataj, e cila akoma pret për burrin e saj, për fatin e të cilit nuk di gjë që nga koha e luftës në Kosovë. Kjo frazë është përdorur për të përshkruar dhimbjen me të cilën përballen çdo ditë familjarët e 1622 personave të zhdukur gjatë viteve 1998-2000.
Artisti Driton Selmani, tregon për KultPlus se kjo ekspozitë është iniciuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ku më pas është përzgjedhur koncepti i tij dhe kuratores Blerta Hoçia. Ai thekson se ka qenë e vështirë për të të punojë në një ekspozitë për këtë dramë shumë të madhe, e cila sipas Selmanit shpeshherë është keqpërdorur, neglizhuar dhe harruar
“Ekspozita përmban harresën si harresë, kujtimin si kujtim mbi harresën dhe në fund një vendprehje, një altar, një memorial edhe një peligrinazh ku njerëzit munden me hi me reflektu mbi një dramë dhe një flakë kaq të madhe që vazhdon të jetë pjesë e të paktën 1622 familjeve.” – thotë Selmani për KultPlus.
Ekspozita është e ndarë në dy pjesë, pjesa e parë paraqet të dhënat bazë të personave të zhdukur dhe ditën kur ata u panë për herë të fundit, kurse në pjesën e dytë është vepra e artistit Selmani që paraqet gurë në formë të varrit të përkohshëm që nuk përmbajnë njerëzit, por vetëm kujtimin për ta. Pjesë e këtij instalacioni janë edhe orët digjitale që ecin duke numëruar sekondat, minutat, orët dhe ditët pa personat e zhdukur.
Kuratoja Blerta Hoçia thotë se kjo ekspozitë vjen në një kohë kur po zbardhen denoncime dhe zbulime të reja të këtyre varrezave masive të dyshuara më herët.
“Ekspozita është e një forme që i ngjan më shumë një memoriali, nuk është ekspozitë që ka artefakte ose shumë materiale, janë vetëm të dhënat bazë, ato që të gjithë ne i dimë, nuk ka të dhëna të tjera. E gjithë kjo mungesë, me mungesën më të madhe që është vetë mungesa e personave të zhdukur me forcë reflektohet edhe me këtë ekspozitë.”- thotë për KultPlus kuratorja Hoçia.
Ndërkaq, ekspozita ‘Më i mirë ish varri sesa mos me ditë” do të qëndrojë e hapur edhe për tre muaj./KultPlus.com