8 Nëntor, 2022 - 2:11 pm
Arbër Selmani po sjell ekspozitën ‘Më lër brenda, më lër jashtë’, një bërtimë e fuqishme, shpesh e ngjyrosur me një pëlhurë të empatisë, e personave me aftësi të kufizuara të cilët i mungojnë diskursit publik në Kosovë, përcjellë KultPlus.
Ekspozita sjellë në vëmendje njerëz që guxojnë dhe tejkalojnë sfidat dhe pengesat që vijnë në rrugën e jetës. Imazhe të forta që tregojnë për një realitet goditës: dikush që noton, një tjetër punon në radio, pak më larg edhe dokumente që konfirmojnë një sëmundje, një gjendje.
“‘Më lër brenda, më lër jashtë’ është një ekspozitë e atyre që po ndajnë me neve mishërimet e tyre jetësore. Le t`i mbajmë afër nesh, le t`i nxjerrim në botë…”, thotë Selmani.
Pjesëmarrës në këtë ekspozitë do të jenë: Shoqata ‘Autizmi’, Eloida Alija, Elvana Shala, Fjolla Muhaxhiri Agusholli, Arbenita Selmani, Genc Beqiri, Mentor Mripa, Medina Surdulli.
Selmani ka falënderuar edhe bashkëpunëtorët për realizimin e kësaj ekspozite e që janë: Arlinda Hajrullahut (bashkë-kuratore), Skender Xhukollit (instalues i ekspozitës), Nok Selmanit (fotograf) dhe gjithë të tjerët që ndihmuan në çfarëdo forme që kjo ekspozitë të marrë këtë formë.
Hapja e ekspozitës do të bëhet më datë 17 Nëntor, ora 19:00, në Grand Hotel në Prishtinë.
Ekspozitën e ka ndihmuar Byroja e Çështjeve Arsimore dhe Kulturore të Departamentit Amerikan të Shtetit, në bashkëpunim me Meridian International Center si partner zbatues. / KultPlus.com