Me në qendër figurën e gruas, hapet ekspozita ‘Gjurmë’ nga Amire Demolli

2 Mars, 2023 - 6:39 pm

Flonja Haxhaj

Poetika, sensualiteti femëror, lidhjet njerëzore dhe gruaja si qenie, të shprehura në forma e ngjyrime të ndryshme, u paraqitën mbrëmë në KultPlus Caffe Gallery përmes veprave që sollën botën artistike e emocionale të artistes Amire Demolli, e cila në ekspozitën e saj të dytë paraqiti një cikël të ri të veprave që ajo krijon në rrugën drejt formësimit të identitetit të saj artistik.

Ekspozita ‘Gjurmë’ e cila solli pas vetës shumë artdashës, erdhi në dy cikle, në atë të ‘nudo’ dhe atë të figurave gjeometrike, e që të dyja bashkë sollën emocionet dhe temperamentin krijues përmes larmanisë në stile si shprehje e krijimtarisë artistike dhe tejet të veçantë të Amire Demollit, shkruan KultPlus.

Në hapjen e ekspozitës, foli vetë artistja Demolli e cila u shpreh fillimisht se përmes këtyre pikturave ajo dëshiron të lë gjurmët e saj, e për këtë arsye edhe ka marrë një emër të tillë.

“E kam përzgjedhur këtë emër sepse ‘gjurmë’ lë secili njëri gjatë jetës së tij, ka njerëz të shhumtë që kanë lënë gjurmëte tyre në histori, në shkencë e në fusha të tjera. E unë kam vendosur tí lë gjurmët e mia përmes pikturës’, u shpreh Demolli, duke thënë mes tjerash se në këtë ekspozitë ajo ka kombinuar dy cikle, atë të fotografisë nudo dhe një cikël abstrakt që nëse shikohet më detajisht mund të vërehen figura njerëzore.

Mirëpo, për Amire Demollin, arti nuk është e vetmja dritare frymëzimi e qetësie, ngaqë ajo punën e saj e ndan në dy profesionale, atë të artit dhe në atë të mjekësisë, gjegjësisht kirurgjisë plastike.

Ndonëse dy profesione që në dukje nuk kanë të përbashkëta, ajo thotë se ka gjetur në shumë mënyra gërshetimin e të dyjave.

“Këto profesione janë të ndryshme por unë kam arritur të gjej një gërshetim të të dyjave. Meqë jam e fokusuar në kirurgjinë plastike dhe estetike, në këtë fushë më ndihmojnë edhe njohuritë e mija nga arti të përvetësuara gjatë studimeve në këtë fushë”, përfundoi Demolli.

Në hapjen e kësaj ekspozite foli edhe vetë kuratori Refik Gollopeni i cili përveç vlerësimit për veprat e ekspozuara, tha se Amire Demolli është një artiste e re e cila është në kërkim të stilit dhe identitetit personal, kreativ dhe krijues.

“Në këtë ekspozitë paraqitet me ciklin ‘Gjurmët’. Vetë fjala ‘gjurmët’ nënkupton vazhdimësinë e jetës ose kalimit prej një kohe në një kohë tjetër, prej një hapësire në një hapësirë tjetër. Artistja me këtë rast lëviz prej një cikli me piktura në një cikël tjetër dhe lë gjurmë në krijimtarinë e saj, por edhe neve si artdashës na jep mundësinë që t’I shohim trajtat e ndryshme të natyrës, dashurinë për nënën, respektin për gruan si qenie e cila është symbol I lidhjes e i kujdesit në familje”, tha mes tjerash Gollopeni

Po ashtu, në hapjen e kësaj ekspozite ishte i pranishëm edhe piktori Hajrush Fazliu, i cili e vlerësoi lart artin e artistes, duke vënë në pah se me punën e saj, Demolli do të jetë një prej emrave të shquar në fushën e artit.

“Amira Demolli prezantohet sot me një opus të krijimtarisë së saj artistike. Demolli është një artiste që i përket gjeneratës më të re në rrugëtimin e saj drejt formësimit të stilit të saj, drejt gjetjes dhe eksperimentit në fushën e pikturës, e që me punën e saj ajo një ditë do të bëhet një artiste për të cilën do t’i kemi fjalët më të mirë”, u shpreh Fazliu.

Ndërkaq, për të bërë hapjen zyrtare të ekspozitës foli piktori Fehmi Hoxha i cili fjalimin e tij e nis me fjalët e poetit Xhevdet Bajraj.

“Po citoj disa fjalë të poetit Xhevdet Bajraj i cili thotë ‘Barrë e randë për lindjet e reja’. Jo rastësisht ju keni hulumtuar shumë  dhe keni ardhur në një piedestal, e për të cilin merita ju takon juve dhe profesorëve tuaj”, ishin fjalët e Hoxhës për artisten, duke e falënderuar për punën që Amire Demolli ekspozoi në ekspozitën ‘Gjurmët’.

Ju kujtojmë që ekspozita ‘Gjurmët’ do të jetë e hapur deri më 7 mars, ku të gjithë të interesuarit mund ta vizitojnë atë në KultPlus Caffe Gallery./ KultPlus.com

Të ngjajshme