26 Maj, 2023 - 11:26 am
”Java e Bibliotekës” po vazhdon të mbahet nëpër bibliotekat e vendit dhe ditën e djeshme shënoi një tjetër ngjarje të rëndësishme në Bibliotekën e Prishtinës, ”Hivzi Sulejmani”, shkruan KultPlus.
Ekspozita që mban titullin “Kujtesa e arsimit shqip në Kosovë të viteve 90” kishte hapur dyert e bibliotekës për dashamirët e artit të cilët patën mundësinë të shohin nga afër tekste e libreza shkollore, dokumentacion pedagogjik si dhe gazeta e revista të ndryshme. Njëkohësisht, të paraqitura ishin dhe fotografi të shumta të shtëpi-shkollave, profesorëve dhe studentëve, që janë dëshmia e rezistencës në fushën e arsimit gjatë viteve të errëta, në Kosovë.
Hapjen e ekspozitës e bëri Bukurije Haliti nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe i pranishëm ishte edhe Robert Montoya nga Universiteti i Kalifornisë në SHBA.
”Ky është një koleksion i veçantë. Librat janë të veçantë sepse janë të vjetër. Këto janë gjëra shumë të lehta për t’u parë, për t’u gjetur dhe për t’u mbrojtur. Por ajo çka është më e brishtë janë historitë që ne krijojmë”, tha profesori amerikan, Montoya i cili u shpreh se materialet e prezantuara tregojnë histori të mrekullueshme.
Ndërsa, Munish Hyseni, drejtor i bibliotekës “Hivzi Sulejmani, u shpreh për KultPlus se kjo ekspozitë paraqet kushtet dhe rrethanat në të cilat është zhvilluar mësimi në vitet 90.
”Kjo që po e shihni këtu është një pjesë e vogël e materialeve që ekzistojnë, kryesisht privatësisht. Kjo ka të bëj me shkollën, me ditarët, më dëftesat, me diplomat, me librezat. Kjo pastaj është shoqëruar me botime librash për shkollat fillore, për ato të mesme dhe për universitete. Kanë ndihmuar dhe gazetat e revistat, që mund t’i shihni këtu”, u shpreh drejtori Hyseni i cili tutje tha se për këtë ekspozitë ka qenë një organizim i madh. Ka përfshirë afër 400 mijë nxënës e disa mijë studentë. Këta nxënës e studentë kanë pasur prindërit që kanë sakrifikuar për ta.
Ish-Drejtori i Kulturës, Mustafë Halili foli gjithashtu për KultPlus rreth kësaj ekspozite, duke e cilësuar si një ngjarje të rrallë.
”Këto janë evenimente. Kur them evenimente, mendoj ngjarje të rralla por janë aq të rëndësishme sa është e vështirë të peshohen. Kur pashë këtë ekspozitë u befasova për të mirë sepse rrallë po organizohen këso eventesh edhe pse ngjarjet e tilla si kjo kanë një peshë të veçantë nga ngjarjet e tjera sepse këtu ekspozohet dija, mendja shqiptare e të gjitha kohërave, kohërave të vështira e në liri, prandaj kjo ekspozitë do të ketë efektin e vet, shumë të madh”, u shpreh Halili duke shpresuar që kjo ekspozitë të ketë sa më shumë vizitorë.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më datë 2 qershor dhe ka dyert e hapura për vizitorët. / KultPlus.com
/