13 Tetor, 2020 - 2:26 pm
Medina Pasoma
Punimet artistike të tyre janë shumëngjyrëshe, për të dëshmuar që nuk meritojnë një qasje “bardh e zi” nga shoqëria. Të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe azilkërkuesit e Kosovës janë bashkuar në ekspozitën virtuale “Më njih përtej fjalëve” të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës në 21 vjetorin e themelimit, shkruan KultPlus.
Të ekspozuara në dy hapësira të ndryshme, punimet artistike përçojnë dhimbjen e historisë jetësore të dy kategorive, mirëpo, në të njëjtën kohë janë edhe shenja shprese për ta. “Më njih përtej fjalëve” vjen si një thirrje artistike për të pasur empati me të kaluarën e palëve, dhunimin e trishtë që të mbijetuarit e kanë kaluar dhe vështirësitë e dhimbjen nga ndarja e atdheut me të cilat janë përballur azilkërkuesit.
Përderisa ekspozita virtuale është kuruar nga psikologia e QKRMT, Malisa Zymberi, realizimin e kanë mundësuar “trembelat” dhe “Lapsi360”.
Hapësira në të cilën ekspozohen punimet artistike të të mbijetuarve të dhunës seksuale është e mbushur me punime të qeramikës, piktura, tentene, çanta, byzylykë e varëse, vazo dhe llogo të organizatës të punuara në madhësi të ndryshme.
Njëra ndër punimet është edhe ajo e qeramikës, në të cilën shkruhet “cilët?”, e cila nëpërmjet artit përfaqëson një përpjekje për identifikim dhe drejtësi edhe sot e kësaj dite.
Të mbijetuarit e dhunës seksuale nëpërmjet artit kujtojnë edhe të kaluarën e bukur. Kështu, malli për kohën sa kishte qenë nuse e kishte shtyrë njërën nga to të qëndiste çorape të leshta, të cilat zakonisht e kishin traditë t’i dërgonin te shtëpia e burrit kur martoheshin.
Në anën tjetër, nuk kishte si të mungonte në ekspozitë anemona, lulja e cila simbolizon mbështetjen, ndjeshmërinë dhe brishtësinë. Ajo është e njohur si llogo e QKRMT-së dhe simbol i fushatës “Bëhu zëri im”, ndërkaq konceptimin e saj e patën realizuar organizatat e ndryshme për të mbijetuarit e dhunës seksuale, bashkë me ndihmën e artistes së ndjerë Arzana Kraja.
Një tjetër dhimbje e shndërruar në frymëzim arti janë edhe historitë e azilkërkuesve në Kosovë, të cilët në tentativë për një jetë më të mirë, kishin lënë vendin e tyre të dashur, duke u përballur me plotë vështirësi, sfida e probleme të cilat vazhdojnë t’i përcjellin gjatë jetës së tyre. Në këtë kategori janë përfshirë gratë dhe fëmijët, si dy grupe të ndjeshme të shoqërisë mirëpo, edhe që kanë një lidhshmëri të madhe mes vete.
Punimet artistike të tyre janë një përpjekje e përshtatjes në një vend të ri, duke mbajtur shpresë në vend të dhimbjes dhe humbjeve nga vendet e tyre si pasojë e luftërave të ndryshme. Hapësira në të cilën ekspozohen punimet artistike të këtij grupi kanë një gjallëri dhe pafajësi përbrenda vetes. Ngjyra të shumta, lodra dhe arusha të madhësive të ndryshme, libra të ngjyrosjes, piktura të varura në mur, maska të bukura, qafore të cilat kanë një domethënie dhe kujtim përbrenda tyre janë disa prej punimeve që ekspozohen nga ta.
Fëmijët e ardhur në Kosovë në një pëlhurë të bardhë kishin vendosur dikur duart e tyre të lyera me ngjyra të ndryshme, si një shpresë për të ardhmen mbi një faqe të re të historisë jetësore. Ata bartin pas vetes kujtime nga vendet e tyre si Siria, Iraku, Irani, Afganistani, Maroko dhe Algjeria.
Seancat psikologjike të QKRMT-së kanë edhe procesin e të shkruarit në një tabel, në të cilin çdo fëmijë do të mund të shkruante dëshirën e tij dhe ta vendoste aty. Njëri nga fëmijët kishte shkruar në gjuhën arabe një fjalë, e cila në shqip përkthehet si “Nuk po du me ec ma gjatë”. Kjo është një dëshirë e ardhur nga lodhjet e shumta që shkakton migrimi në këmbë nga një vend në një vend tjetër, gjatë së cilës nuk diskutohet pushimi dhe ushqimi i mirë.
Ikja nga vendet e tyre i ka bërë këta individ që pas tyre të lënë edhe gjërat e çmuara. Uma nga Siria ka lënë atje edhe qaforen e martesës, të cilën e improvizoj me materiale tjera në Kosovë pranë QKRMT-së.
Një tjetër vajzë, historia e së cilës është e prekshme është edhe Ajda, e cila gjatë shërbimeve psikologjike përdor vizatimin si mjet për t’u çliruar shpirtërisht. Ajo ende ka të pranishme frikën e Sirisë, në të cilën është traumatizuar nga lufta dhe frika e marrjes së babait të saj.
“Më njih përtej fjalëve” vet nga emri që ka është një përpjekje pranimi dhe empatie të këtyre grupeve të cilat kanë kaluar kohëra të vështira. Linkun për qasje te punimet artistike të të mbijetuarve të dhunës seksuale dhe të azilkërkuesve gra e fëmijë mund ta gjeni KËTU. /KultPlus.com