Mediterranea, ekspozita që rrëfen historinë e detit

27 Shkurt, 2025 - 1:45 pm

Në Galerinë e Artit Bashkëkohor në Tiranë (GOCAT) u çel ekspozita “Mediterranea”. Mes të pranishmëve në inaugurim ishte edhe ambasadori i Italisë, Marco Alberti si dhe drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera.

Ekspozita përdor imazhe të marra nga teknologjia më e avancuar hapësinore e zhvilluar nga Agjencitë Hapësinore Italiane dhe Europiane, si dhe nga Telespazio/e-Geos. Vizitorët mund të shohin imazhe të jashtëzakonshme, krahas hartave dhe veprave të lashta të artit, në një sintezë të kulturës, artit dhe shkencës, mes të shkuarës dhe së tashmes.

“Mundësia për të prezantuar “Mediterranea”-n në Tiranë na u dha falë shpalljes së kryeqytetit shqiptar si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025. Instituti Italian i Kulturës vendosi t’i përgjigjet, duke paraqitur një ekspozitë që rrëfen historinë e detit, ku janë ndërthurur histori popujsh, kulturash dhe qytetërimesh”, është shprehur në rrjetet sociale Alessandro Ruggera.

Drejtori i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë e sheh “Mediterranea”-n gjithashtu si një mundësi për të reflektuar mbi të ardhmen e këtij deti, me shpresën që ai të vijojë të jetë një hapësirë shkëmbimi, bashkëpunimi dhe paqeje.

“Mediterranea” është një ekspozitë gjithëpërfshirëse që rrëfen historinë, bukurinë dhe sfidat e Mesdheut, një udhëtim mes të shkuarës dhe të ardhmes, ku imazhet satelitore moderne ndërthuren me harta të vjetra, tinguj dhe instalacione emocionale. /KultPlus.com

Të ngjajshme