9 Mars, 2019 - 5:40 pm
“In excess” titullohet ekspozita e radhës e artistit nga Prishtina me vendqëndrim në Hamburg të Gjermanisë. Mentor A. Ejupi Toro këtë ekspozitë do e hap në galerinë PopArt Store në qendrën tregtare të Edeka nord – Marktkauf-Center Hamburg me 27 mars 2019.
Literatura dhe piktura kanë qenë gjithmonë shtytje për njëra tjetrën, janë bërë shumë shkrime për temat të marra nga pikturat e ndryshme po ashtu janë bërë dhe bëhen akoma shumë piktura të bazuara në ngjarjet e librave nga mjeshtrit e literaturës. Autori i mirënjohur Charles Bukowsky ishte ai i cili shtyu piktorin të merret me ilustrimin apo pikturimin e jetës dhe veprës së autorit autobiografikë.
“Gjatë vitit të kaluar derisa po udhëtoja në metron e metropoles sime, po lexoja gazetën“Zeit“ dhe hasa në një shkrim të mrekullueshëm, ishte letër këmbimi në mes Charles Bukowsky dhe Henry Miller. Isha aq i koncentruar në leximin e letrës saqë kisha kaluar stacionin ku do zbritesha, me dukej vetja se jam në një dhomë në New York dhe po lexoja letrën që më kishte dërguar Charles..“, shprehet Toro në prezantimin e motivacionit dhe konceptit të kësaj ekspozite.
Pikturat gjigante të formatit si „Charles in New York“ që është 200 x 300 cm e punuar në kanavec të bënë të ndjehesh i vogël si njeri pranë kësaj pune, duke reflektuar një rrëmujë metropolitane, një kaos nga jeta e bujshme e natës por me një kompozicion dhe një perspektiv maestrale, për të dalë në pah „varshmëria“ e Bukowskit ndaj alkoolit dhe epshit erotik por me një abstraksion „konkret“ dallohet dora e zgjatur me një shishe vere në dorë dhe shumë figura femrash që janë të kompozuara me një dinamikë sukseksi – që e bënë të dallohet puna e Toros ndër vite nga artistët tjerë.
Tek puna „ Charles with A.“ kemi një format vertikal 140 x 200 cm i punuar me vaj në kanavec ku përveç portretit të fshehur të Charles Bukowsky kemi një prerje fytyre femre e cila me një epsh shkrihet mbi portretin e fshehur duke dhënë një perspektivë dhe një mashtrim optik të një thellësie të mbyllur në të kaltrën e qiellit. Dekonstruimi i figuratives në këtë abstraksion që përmban shumë simbole erotike të mbanë në një situatë transi meditativ të një momenti nga letrat e Bukowskit drejtuar Henry Millerit.
10 piktura të formateve gjigande do të shpalosen për publikun artdashës në Hamburg në fund të Marsi në ora 18:00./ KultPlus.com