Meriton Maloku sjell sonte “Ma shumë se balancë dhe fërkim”

24 Janar, 2019 - 2:30 pm

Meriton Maloku do të prezantojë sonte ekspozitën e tij personale të titulluar “Ma shumë se balancë dhe fërkim”, në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë e cila vjen e kuruar nga Vala Osmani dhe Donjetë Murati do të hapet sonte në ora 19:00, për t’i paraprirë bisedës me artistin që do të zhvillohet nesër në ora 19:00, po ashtu te Klubi i Boksit.

Ekspozita “Ma shumë se balancë dhe fërkim” fillon me shpalosjen e një veprimi. Kjo kohë e lojës në veçanti kalon nëpër një kontinuitet kohor dhe hapësinor, përtej vetëm një kalimi kohe, në mënyrë që një dialog të ndodhë mes dy dimensioneve të posaqme përbrenda dhe ndërmjet dy agjentëve. Në tërësi, një forcë rrotullullimi është konstante, siç është edhe përfundimi i veprimit si një fund i lojës. Gjestet, dialogu qëndrojnë në këtë parametër, ndrrimi i roleve ndodhë, dhe me të mund të përhapet dhe realiteti i një ndryshimi kohë dhe në hapësirë. Ajo që duket si një ndryshim i lehtë që shihet me sy, përmban qëndrueshmëri, krahas mundësive për të shqyrtuar shumëllojshmërinë e konfigurimeve që veprojnë ndryshe në çdo kohë të caktuar.

Për të kuptuar këtë veçanti, njeriu duket të afrohet dhe largohet prej vendit ku loja është duke ndodhë, dhe të kuptoj nëse një ndërrim i roleve paraqet një përmbysje të ‘një’ rendi të caktuar. Në një aks të pushtetit, që nuk vërehet lehtë në strukturë, me këtë ndërmarrje “Ma shumë se balancë dhe fërkim” përpiqet të përcaktoj dhe të bëjë të dukshme një përplasje mes asaj që konsiderohet personale, shoqërore dhe politike. Në këtë nyje, marrëdhëniet shpalosen si interakcione të zakonshme, dite pas dite, duke vë në pyetje ku qëndron pushteti, dhe në çfarë forme operon në socializim, pasi që “pushteti është i fuqishëm, për shkak se […] prodhon ndikim në nivel të dëshirës – dhe po ashtu në nivel të diturisë.” (Foucault, 1972: 59). Çfarë bëhet e dukshme përmes këtyre marrëdhënieve është që ato krijojnë hapësirën për të negociuar procese të ndërtimit të botëkuptimeve, përbrendësimin dhe mbase narracione konkurruese, dhe të shumëfishta.



Meriton Maloku (Kosovë) jeton dhe punon në Antwerp dhe Prishtinë. Ai ka kryer studimet për artet e bukura në Akademinë Royal të Arteve të Bukura në Antwerp dhe ka MA në grafikë.

Hulumtimi i tij kryesisht përqendrohet në politikë, filozofi dhe historinë e vetë artit. Kryesisht punon me përsëritjen, lojën dhe shfaqje humori kohë pas kohe. Ai punon përmes disiplinave të ndryshme, brenga kryesore është hapësira mes shikuesit dhe punës.


“Ma shumë se Balancë dhe Fërkim” me Meriton Maloku është pjesë e programit vjetor të ekspozitave të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe modul i çmimit “Artistët e së nesërmes”. Meriton Maloku është fitues i çmimit “Artistët e së nesërmes” 2017.



Çmimi “Artistët e së nesërmes” është një projekt unik që u ofron artistëve të arteve pamore nën moshën 35 vjeçare mundësinë të krijojnë vepra të reja, të jenë pjesë e një procesi specifik edukativ, të kenë takime dhe prezentime për një juri ndërkombëtare, mundësi që të marrin pjesë një ekspozitë të përbashkët me finalistët e tjerë në Stacion – Qendrën për Art Bashkëkohor Prishtinë, por edhe të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të përjetojnë dinamikën e skenës artistike të Nju Jork-ut, për dy muaj qëndimi në Residency Unlimited, dhe pas kthimit nga SHBA të kenë ekspozitë personale në Stacion- Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë./ KultPlus.com

Të ngjajshme