23 Dhjetor, 2023 - 9:03 am
Në Galerinë FAB është çelur ekpozita e artistit Fabio Thaçi me titullin “Metaforma/Shtëpia dhe bota”. Ekpozita me kurator Vladimir Myrtezajn, do të qëndrojë e hapur deri më 26 dhjetor, pranë Universitetit të Arteve.
Kuratori Myrtezaj shprehet se Fabio Thaçi është një profil domethënës në arenën pamore, me një histori të frakturuar me mungesa e shtresëzime normale, historike dhe me një zbarkimi të zhdërvjellët në identitetin e tij nëpër territoret bazike e herë-herë arketipale.
Kuratori e vendos piktorin Thaçi tek artistët polemistë, në të gjithë qarqet e dialogut të nëndheshëm në kulturën shqiptare. Një natyrë e drejtpërdrejtë, si breshër në kohë më diell, por dhe një natyrë reflektuese, veti e cila e ndoqi më pas në përmbysjen e një lirie që në të shumtë u keqpërdor për disa shkaqe që kanë të bëjnë me formimin dhe një koracë artistësh që në njëfarë mënyre kishin maisur pushtetin e artit në kthina debati, herë si liri e pakontrolluar, herë si konjukturë kalimtare e kohës.
Prof. Myrtezaj shkruan se, forma që propozon Thaçi në punime, i ngjan platformave embrionale, dhe kështu të jep shkas t’i mendosh si pjesë e një site-specific. “Po ashtu, për shkak të subjekteve që ai trajton, të rrit fantazinë e dimensionit, ose peshës fizike të imazhit, pra një tjetër stad që e përcjell shenjën tatoo apo frymën e veprës drejt kryerjes së saj”, shprehet ai./atsh/KultPlus.com