31 Gusht, 2018 - 5:28 pm
Për tri ditë me radhë më shumë se 20 të rinj dhe të reja janë bërë pjesë e projektit “Metamorphosis” të organizuar nga fondacioni “Shtatëbëdhjetë”. Përmes një pune hulumtuese në terren, kanë arritur të mbledhin informata për memorien kolektive të banorëve të lagjes “Pejton” në Prishtinë, për objektin që njihet si mensa e punëtorëve të “Ramiz Sadikut”.
Këta të rinj dhe të reja kanë arritur që të gjejnë informata të ndryshme dhe interesante për objektin e braktisur, me qëllim që më pas përmes një ndërhyrje artistike ta shpalosin atë histori. Të ndarë në dy grupe, Konstruksion dhe Performancë, kanë reflektuar mbi të kaluarën e mensës së punëtorëve të një prej kompanive më të mëdha të ndërtimit në kohën e ish-Jugosllavisë, por edhe funksioneve tjera që ka pas ndër vite.
Rezultati i kësaj pune e cila u përcoll me energji pozitive, entuziazëm dhe përkushtim, do të shpaloset në performancë dhe ekspozitë të cilat do të zënë vend me datën 6 të muajit shtator, pikërisht në këtë objekt.
“Metamorphosis” është projekt i cili përkon me një prej qëllimeve kryesore që ka fondacioni “Shtatëmbëshjetë” e që është rivitalizimi i hapësirave të braktisura.
Një ekspozitë dhe performancë mulitmediale e cila sjell rrëfimin për objektin e braktisur, mëton që edhe një herë ta kthejë në kujtesë të kaluarën e tij të bujshme, duke intervenuar në të tashmen.
Performanca “On the loop” nëpërmjet “statujave lëvizëse” sjell disa karaktere që portretizojnë më së miri funksionin e këtij objekti. Në fundin e viteve ’40 dhe fillimin e viteve ’50 do të ndërtohej objekti i cili për gati 40 vjet do të shërbente si mensë e punëtorëve të një prej kompanive më të mëdha ndërtuese në ish-Jugosllavi: “Ramiz Sadiku”. Vizatime të gjendjes së tanishme të mensës, si rikujtim i të kaluarës dhe ndërhyrjes që i bëhet sot.
Pas vitit 1989 kur “Ramiz Sadiku” falimentoi si rezultat i tensioneve politike, mensa mori tjetër funksion. Do të bëhej një prej qendrave humanitare për refugjatët e luftës së fundit në Kosovë, e më pas edhe restorant. Ky objekt përveç se shërbeu si mensë për punëtorët e kompanisë e më pas edhe për studentë dhe persona me raste sociale, aty do të zinin vend edhe aktivitet të ndryshme kulturore, muzikore e argëtuese. Prandaj ritmet e muzikës repetitive do të përçojnë emocionet e bukura dhe të errëta që bartë në vete ky objekt për një përjetim krejt ndryshe. Krejt kjo do të përcillet me një instalacion arkitektonik dhe një rrëfim të detajuar të historisë së objektit, ashtu siç banorët e lagjes “Pejton” e kujtojnë.
“Metamorphosis” sjell memorien kolektive, rivitalizon objektin e braktisur për një ditë, duke kthyer vëmendjen tek rëndësia historike dhe ruajtja e saj.
Projekti “Metamorphosis” ka për qëllim të mundësoj një mjedis që forcon kapacitetet e rinisë nëpërmjet edukimit të artit dhe angazhimit qytetar në aktivitetet kulturore. Projekti do të hapet me ekspozitë dhe performancë më 6 shtator nga ora 19:00.
Ky projekt financohet nga BE, menaxhohet nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe zbatohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut.
Performancë “On the loop” : Nol Musa , Rita Zhubi, Jona Maliqi Trim Kuqi, Shkëlqim Shashivari, Albiona Hajrizi, Diellza Përvetica, Lekë Zeqiri, Lendi Mustafa. Preformancë Muzikore – Blerta Zeqiri, Linda Mustafa. Vizatim – Blend Bytyqi. Instalacion: Planimetria dhe Bazat e Ekzistuese të Objektit ish Menza “Ramiz Sadiku” -Zotika Maliqi, Rrona Pozhegu, Hana Zyberi. Audio – Albanoi Retkoceri. Konstruksion – Jona Maliqi Shkëlqim Shashivari, Nol Musa , Ditjon Fetahu,Ensar S. Shaqiri, Gresa Gashi , Trim Kuqi, Lendi Mustafa. /KultPlus.com