14 Korrik, 2020 - 11:58 am
Xhemile Hysenaj
Një artiste mjaft e re në moshë, që artin e konsideron më shumë se jetë e më shumë se një mënyrë jetese. Bëhet fjalë për Mimoza Rracin, një artiste e cila njihet per muralet, pikturat, punimet me dorë, skulpturat e punimet në tekstil, përmes së cilave çdoherë bartë mesazhe të ndryshme e kuptimplotë për artdashësit e adhuruesit e saj.
Në një intervistë për KultPlus, Mimoza ka shpalosur më shumë rreth të qenurit artiste, rreth asaj se çfarë paraqet përmes artit të saj dhe patjeter edhe për përvojën e saj prej artisteje në ditët e izolimit si pasojë e pandemisë.
Mimoza tregon për KultPlus se talentin e saj për art nuk e ka zbuluar edhe aq herët, mirëpo edhe pse ‘me vonesë’ ajo ka arritur të bëhet një nga artistet më të njohura të gjeneratës së saj, në të njëjten kohë duke premtuar shumë në këtë fushë.
‘Unë nuk jam person që bëjë plane afatgjata, rruga nëpër të cilën po kaloj së bashku me artin, është shoqëruesi më i mirë. Prandaj, le të vazhdon të mbetet kështu’, tregon tutje Mimoza.
Si çdo vepër arti dhe si çdo artist, edhe Mimoza ka frymëzimet e saj, që siç tregon ajo, frymëzimin e gjen tek jeta e përditshme, e në Kosovën tonë të vogël inspirim ke ngado që të shkosh.
‘Zakonisht inspirohem nga veprimet e njerëzve, nga ndonjë ngjarje që kam përjetuar apo dëgjuar, të thëm më shkurt, inspirohem nga çdo gjë që më rrethon’, vazhdon tutje Mimoza.
Mimoza ka provuar veten pothuajse në të gjitha fushat e artit pamor, ajo tregon se në secilin prej tyre, ka punuar me shumë vullnet e dashuri, sipas saj, secili është bërë në kohë dhe në aryse të caktuar dhe secili e ka vlerën e vet.
‘Ekziston një ndjesi shumë e çuditshme sepse duke krijuar një vepër, hynë aq shumë brenda saj, saqë të duket sikur ke shkrirë çdo pjesë tënden aty. Shpesh edhe të dhimbset kur ajo vepër ndalon së qenuri e jotja, por në anën tjetër nuk ka ndjenjë më të bukur se sa të ekzistoj në një vend, të kesh një jetë, të jetosh e të frymosh në çdovend përmes veprave tua’, shprehet me emocion të madh Mimoza.
Secili artist me kohë fillon e njihet nga stili të cilin e posedon, duke bërë kështu që të ata të njihen përmes veprave të tyre dhe jo vepra përmes tyre. Mimoza, në këtë rast, cilësohet për stilin e saj mjaft të veçantë. Stilin e saj Mimoza e konsideron të lirë, asaj nuk i pëlqejnë kufizimet, nuk i pëlqen të ndalet dhe të kufizohet në një stil apo të ndikohet nga ndonjë artist speçifik.
‘Jam njeri i lirë, i tillë është edhe arti im. Dua që edhe kur nënshkrimi im nuk gjendet në punimet e mia, njerëzit të njohin artin tim, duke e njohur kështu që ajo ide dhe ajo mënyrë e lirë e qetësuese e punimit është diçka Mimoze’, tregon Mimoza.
Ditët në karantinë kanë bërë që shumë artistë të shpalosin kreativitetin e tyre, të zbulojnë anë të reja të artit të tyre, e të jenë më afër se kurrë pranë artdashësve. Sigurisht se edhe Mimoza ka qenë pjesë e këtij grupi artistësh që kanë qenë mjaft kreativ gjatë atyre ditëve aspak të lehta. Në ato ditë izolimi, arti i Mimozës zuri vend në tekstil, ku me një stil Mimoze (pikërisht ashtu siç dëshiron ajo të njihet), ajo në tekstil me një kombinim të mahnitshëm ngjyrash, paraqiste figurën e gruas ashtu siç ne rrallë herë jemi mësuar të shohim.
‘Njihem si tip që ka dëshirë të zbukuroj çdo gjë që më rrethon, më jep ca ngjyra dhe një brushë dhe ashtu ndihem si në parajsë. Arsyeja pse arti në tekstil, tek i cili kësaj radhe protoganiste ka qenë më së shumti portreti i gruas, ka ardhur kështu: Cili është subjekti më i mirë për të shprehur ndjenjat dhe për të marrur vëmendjen e njerëzve më shumë se portreti i një gruaje?! Pasiqë është mjaft e vështirë për të gjetur një më të mirë se ato, gratë janë një nga mrekullitë më të mëdha të botës.’
Pandemia që ka kapluar botën ka shqetësuar secilin dhe ka qenë një periudhë mjaft stresuese për të gjithë, fatkeqësisht akoma vazhdon të mbetet e tillë. Mirëpo Mimoza, këtë periudhë e ka parë me mjaft optimizëm, duke e konsideruar si një ‘luks’ për punë intenzive.
‘Mendoj që në kohë stresi dhe trazirash lindin disa nga idetë më kreative. Besoj se kjo ka ndodhur edhe me mua gjatë kësaj periudhe, jam pajtuar me realitetin dhe po mundohem të shoh vetëm anën pozitive të kësaj situate’, shprehet tutje Mimoza.
Mimoza, një artiste e cila nuk ndalon kurrë së eksploruari botën e pafundme të artit, në moshë shumë të re, erdhi para artdashësve me një mori veprash artistike që përjetësisht do të bartin vulën e saj.
‘Le të ndriçojmë, frymëzojmë dhe motivojmë të gjithë rreth nesh’, përfundon intervistën ajo. / KultPlus.com