Ministri Çeku: Petriti u bë shqiptari i parë nga Kosova që prezanton veprën e tij në The MET

30 Prill, 2024 - 4:24 pm

Ministri i Ministrisë së Kulturës Hajrulla Çeku ka marr pjesë në prezantimin e Petrit Halilaj në New York, përkatësisht në The Met, ku bëhet edhe artisti i parë shqiptar që prezantohet në këtë nivel kaq prestigjioz, shkruan KultPlus.

Më poshtë e sjellim reagimin e plotë të ministrit Çeku.

Artisti ynë Petrit Halilaj arriti që përmes artit të sjell një pjesë historie të vendit tonë në mesin e komunitetit më prestigjioz artistik të New Yorkut, duke na bërë secilin prej nesh krenar për të dhe Kosovën njëkohësisht.

Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme të jem pjesë e hapjes së ekspozitës së tij “ABETARE” në muzeun e New Yorkut, The Metropolitan Museum of Art.

Ekspozita u frymëzua nga vizatimet e shkrimet e nxënësve në bankat e shkollës që ai ndoqi në Runik gjatë viteve të 90-ta në Kosovë, ndërsa për prezantimin në MET zgjeroi hulumtimin në shkolla të tjera ku kishte konflikte, në Shqipëri e vende nga ish-Jugosllavia. Këto vizatime të shndërruara në skulptura metalike sjellin kujtesën kolektive dhe fuqinë imagjinative të brezave të studentëve, jetët e të cilëve u shënuan nga konflikte traumatike dhe ndarje territoriale gjatë luftërave në Ballkan.

Përtej arritjes individuale të tij, kjo është një arritje e madhe në fushën e diplomacisë publike. Petriti u bë shqiptari i parë nga Kosova që prezanton veprën e tij në The MET, duke hapur rrugën e promovimit e prezantimit të artit e Kosovës para publikut e artdashësve amerikan e më gjerë./ KultPlus.com

Të ngjajshme