26 Tetor, 2017 - 7:27 pm
Artistja austriake Deborah Sengl prezantohet në Galerinë Kombëtare të Arteve me ekspozitën “Ditët e fundit të njerëzimit“. Nën kurimin e Günther Oberhollenzer, kjo ekspozitë është ndërtuar në formën e një metafore. E bazuar dhe frymëzuar nga vepra me të njëjtin titull të autorit të njohur Karl Kraus, i cili i dedikoi këtë dramë shkatërrimit që la pas Lufta e Parë botërore, artistja Sengl ka zëvendësuar personazhet njerëzore me minj të balsamosur.
Në ekspozitë ndodhen edhe 3 piktura e 39 vizatime. “Për mua është një moment shumë i veçantë, sepse është kurorëzimi i një viti të tërë pune në fushën e kulturës këtu në Tiranë , pas disa koncerteve dhe aktiviteteve të rëndësishme. Kurorëzimi i këtij bashkëpunimi kulturor është pikërisht kjo ekspozitë. Ekspozita është e bazuar në veprën e Karl Kraus, është një nga autorët më të mprehtë dhe të fuqishëm austriak edhe pse për fat të keq në Shqipëri nuk është i njohur dhe aq shumë. Shpresoj që kjo mungesë të kompensohet në të ardhmen dhe veprat e tij të përkthehen edhe në gjuhën shqipe“, do të shprehej gjatë konferencës për shtyp ambasadori i Austrisë në Tiranë Johann Sattler. “Ka qenë dëshira e madhe e zotit Ambasador i cili ka bërë shumë për promovimin e artit austriak në Shqipëri. E falënderoj shkëlqesinë e tij që i hapi rrugën këtij bashkëpunimi. Ekspozita ka 39 skulptura me kafshë të balsamosura, 3 piktura dhe 39 vizatime. Ajo i mundëson publikut shqiptar për herë të parë një njohje me ciklin me te njohur te kësaj artisteje deri me tani Ditët e fundit të njerëzimit që merr frymëzimin nga drama e njohur e shkrimtarit dhe satiristit të njohur austriak Karl Kraus”, u shpreh drejtori i Galerisë Artan Shabani. Kuratori i ekspozitës, theksoi se gjuha kryesore e këtij arti është satira përmes së cilës Sengl denoncon dhe kritikon sjelljet negative të njerëzve dhe vetë shoqërisë: “Jam shumë i lumtur të jem këtu. Galeria Kombëtare na ka pritur mrekullisht në këtë bashkëpunim. Në këtë ekspozitë Deborah ka bashkuar elementë nga historia dhe letërsia dhe i ka sjellë ato në këto vepra. Ajo i realizon ato me një formë satire të cilën e përdor kundër padrejtësive, kundër ngjarjeve që prodhon normaliteti i një kohe lufte. Satira e saj është shumë e fuqishme”, tha Oberhollenzer.
Ndërsa autorja Deborah Sengl shpjegoi se metafora e saj përmes minjve të ballcamosur i është nje mesazh i drejtpërdrejt për vetë njerëzit: “Fillimisht kur nisa të krijoja, as vetë nuk e njihja mirë veprën e Karl Kraus, por fuqia e saj më trembi. Dukej sikur do ta rijetëzoja në artin tim, do të inskenoja atë që kisha lexuar. Unë përdor kafshët si metaforë, por kritikat që dua të shpreh shkojnë për njerzit, për atë që ne ndërtojmë pa arsye”, tha ajo. Për Deborah Sengl minjtë janë zgjedhur si një metaforë shumë e goditur për shkak të paraqitjes tematike.
“Ne njerëzit kemi një raport të dyzuar me minjtë se nga njëra anë kemi neveri, i kemi frikë sepse jetojnë nëpër kanale, janë krijesa të pista e të neveritshme nga ana tjetër nuk bëjmë dot pa ta. I përdorim ata në eksperimente mjekësore e kozmetike për shkak të ngjashmërisë gjenetike që ata kanë me njerëzit. Nëse do të citoja këtu autorin e veprës, ai ka thënë se për të njerëzimi është një laborator i madh eksperimental. Nga njëra ana minjtë jetojnë masivisht siç jetojnë njerëzit në tokë, por kur bëhet fjalë për elementët jetësor të tyre, ata bëhen tërësisht egoist dhe në këtë pikë ngjasojnë shumë me ne. Ngjyra e bardhë për mua simbolizon pastërtinë. Ka vetëm një mi të zi i cili simbolizon autorin e dramës e cila më ka frymëzuar. Ne të gjithë jemi disi fajtorë për gjërat, të gjithë jemi si minj të bardhë, të gjithë nga pak fajtor për gjërat negative që ndodhin” , tha Sengl. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri e 25 Nëntor. / KultPlus.com