“Miridita, dobra dan!” këtë vit me mesazh për elitën politike: Barrierat duhet të thehen, jo të ndërtohen

9 Maj, 2019 - 10:55 am

 

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, është një ngjarje unike që ka prezantuar skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës në Beograd që nga viti 2014. Qëllimi i festivalit është që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesëve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës të bashkojnë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuoj në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Këtë vit, festivali zhvillohet në një periudhë specifike, kur marrëdhënia midis Prishtinës dhe Beogradit është në nivelin më të ulët që nga fillimi i Marrëveshjes së Brukselit. Një krizë e dukshme politike po reflektohet në jetën e përditshme të qytetarëve në Kosovë dhe Serbi. Kjo dekurajon më tej bashkëpunimin mes dy shoqërive, jo vetëm në sferën kulturore, por edhe në tregti, sport, arsim dhe në të gjithë sektorët e tjerë. Festivali i dërgon një mesazh të qartë publikut dhe elitës politike të Kosovës dhe të Serbisë – barrierat duhet të thehen, jo të ndërtohen.

Ashtu sikur edhe gjatë viteve të kaluara, edhe këtë vit vizitorët do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për skenën kulturore të Kosovës përmes një sërë dramash, shfaqjesh, filmash, koncertesh dhe ekspozitash. Një pjesë e festivalit do t’i kushtohet diskutimeve dhe debateve për të ardhmen e marrëdhënieve Prishtinë – Beograd dhe rëndësinë e bashkëpunimit për të dy shoqëritë.

Hapja zyrtare e festivalit “Mirëdita, dobar dan!” do të bëhet të mërkurën me 29 maj me shfaqjen e filmit “Cold November”, me regji të Ismet Sijarinës, film ky i cili është prezantuar në shumë festivale ndërkombëtare të filmit të cilat kanë rezultuar me dy çmime dhe tre nominime. Një ngjarje e cila do t’i paraprijë hapjes do të jetë performanca artistike “Let’s make love” nga Shkumbin Tafilaj. Gjatë festivalit, publiku do të ketë mundësinë të shoh filmin dokumentar “Ferdonija”, film ky nga Gazmend Bajri, i cili tregon jetën e një gruaje që ka humbur tërë familjen e saj gjatë luftës së fundit në Kosovë. Një shfaqje teatrore me regji nga aktori dhe regjisori i famshëm shqiptar Enver Petrovci e titulluar “Kreolet e Ballkanit” do të prezantohet gjatë festivalit për të gjithë dashamirësit e teatrit. Gjatë festivalit do të organizohen tre debate të ndryshme për të diskutuar çështje lidhur me personat e pagjetur, shkrimin e dramave të reja në Kosovë dhe librat e historisë.  Së bashku me këto debate, do të promovohen tre botime specifike: Libri i Kujtesës me tregimet e familjeve të të pagjeturve “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” të botuar nga forum ZFD në Kosovë dhe Integra, “ONE FLEW OVER THE KOSOVO THEATER  – Një Antologji e Dramës Bashkëkohore nga Kosova” botuar nga Multimedia  në Kosovë dhe Beton në Serbi. “Historia e Kosovës në tekstet e historisë së Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë”, shkruar nga Shkëlzen Gashi dhe botuar nga Alter Habitus.

Performanca përmbyllëse e edicionit të këtij viti do të jetë një koncert shumë emocionues i grupit trio “Don’t listen to your neighbours” nga Kosova, të cilët janë të mirënjohur sepse kanë mbajtur gjithmonë një koleksion të rafinuar të repertorit tradicional shqiptar dhe në vitet e fundit ata kanë zhvilluar një stil mjaft unik me elemente të xhazit të cilat na vijnë në mënyrë të sofistikuar. Më pas, performanca e  DJ Matale-s nga Prishtina do të përmbyllë festivalin “Mirëdita, dobar dan!” 2019.

Frymëzim për festivalin “Mirëdita, dobar dan!” është aktori i mirënjohur shqiptar, kosovar, jugosllav por edhe i tërë botës, Bekim Fehmiu i cili simbolizon unitetin por edhe ndarjen, por gjithashtu edhe mundësinë e bashkimit të dy hapësirave kulturore në një të vetme.

Festivali do të mbahet në disa lokacione në Beograd nga data 29 maj deri më 1 qershor, dhe për të gjithë vizitorët  hyrja, si në vitet e kaluara, do të jetë pa pagesë. Festivali organizohet nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (Serbi), dhe Iniciativa Qytetare (Serbi), me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Serbi, Rockefeller Brothers Fund (RBF), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. /KultPlus.com

Të ngjajshme