3 Maj, 2023 - 2:14 pm
Guri dhe druri janë dy nga elementet karakteristikë kryesorë të gjithë strukturës ndërtimore të Gjirokastrës. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër prezanton dhe mjeshtrat e punimit të tyre, të cilët janë të shumtë dhe shohin si mision kryesor t’ia trashëgojnë mjeshtërinë edhe brezave.
Një ndër ta është Viktor Nurçe i cili rrëfen jetën e tij kushtuar punimit të drurit.
Nurçe ka nisur punën në 1990 në ish-ndërmarrjen artistike Gjirokastër. Aty mësoheshin të rinjtë të vazhdonin profesionet e lëna në harresë, si gdhendja e drurit, punimi i qilimave, i sixhadeve, punimi i hekurit etj. Të gjitha këto produkte ishin për eksport. Ato ishin njëkohësisht edhe ambasadori më i mirë i trashëgimisë kombëtare.
Mjeshtri rrëfen se më vonë iu përshtat kërkesave të tregut brenda vendit.
“Ka qenë një rrugë jo e lehtë, me shumë sakrifica, për të mbajtur këtë stil pune, pasi ishte dhe tendenca e modernes në treg. Me kalimin e viteve me rritjen e turizmit, kërkesat filluan të shtoheshin për bujtinat, hotelet e resorantet që po ngriheshin”, rrëfen Viktor Nurçe.
Një ndihmë të madhe në profesionin atij ia dha puna e restaurimit të banesave karakteristike, të cilat për Gjirokastrën janë një thesar ende i pazbuluar për turistët.
Mjeshtri i drurit rrëfen se kënaqësinë më të madhe e merr kur profesionin ia transmeton dhe brezit të ri, pasi ai është i përfshirë në projektin “Zë Art”, me nxënës të shkollave të mesme./KultPlus.com